Shenjti i ditës – 23 qershor: Shenjtërit martirë të Nikomedisë (+ 303)

Written by on June 21, 2017

Shenjti i ditës – 23 qershor: Shenjtërit martirë të Nikomedisë (+ 303)

 

            Martirologjia romake numëron katër grupe martirësh të vrarë në Nikomedi të Elespontit, të cilët përkujtohen më 18 mars, 23 qershor, 23 dhe 25 dhjetor. Flitet për tridhjetë mijë martirë anonimë. Ndoshta shifra është e ekzagjeruar. Po përse në Nikomedi? Viti 303 dhe rrethanat përputhem me atë çka na thotë historia: Diokleciani, perandori dalmat (245–313), autor i përndjekjes më të madhe e më të zgjeruar kundër të krishterëve, kishte marrë detyrën e komandantit të truprojave të paraardhësit pikërisht në Nikomedi dhe këtu kishte bërë një prej vendbanimeve të veta që e kishte më për zemër. Pasi u zgjodh perandor, kujdesi i tij kryesor qe përforcimi i kufijve të perandorisë dhe i bashkimit perandorak me nderimin e kulteve të vjetra romake. Kjo çoi në përndjekjen më të ashpër të vitit 303 kundër të krishterëve. I pari që u martirizua ishte pikërisht shërbëtori i tij personal, shën Pjetri i Nikomedisë, që shërbente në pallatin e perandorit. Diokleciani deshi që ndëshkimi i të krishterit, i cili refuzoi t’u bënte ofertat rituale hyjnive të Romës, të ishte një paralajmërim për të gjithë të krishterët e tjerë të qytetit të tij. Pjetrit iu hoqën copa mishi dhe mbi plagë i hodhën uthull. Martiri u dënua më pas me djegie në turrën e druve. Sjellja heroike e martirit u dha qetësi e guxim njëzet mijë të krishterëve të tjerë të Nikomedisë (shifra i referohet Martirologjisë) që pak ditë më pas e dëshmuan fenë në Krishtin me jetën e tyre.


Current track

Title

Artist