Shenjti i ditës: 23 nëntor – Shën Klementi I, papë e martir (+101)
Written by Radio Maria on November 22, 2016
Shenjti i ditës: 23 nëntor – Shën Klementi I, papë e martir (+101)
Për pasardhësin e tretë të shën Pjetrit në selinë apostolike të Romës – i cili përmendet në lutjen euharistike – kemi informacione të çmuara në një shkrim të Shën Ireneut në vitin 180. Klementi «i kishte parë apostujt dhe kishte biseduar me ta, kishte dëgjuar tingëllimën e predikimeve të tyre dhe e kishte parë me sy traditën e tyre». Është gjithnjë Shën Ireneu ai që na informon për letrën e famshme të shkruar nga papa Kishës së Korintit, një dokument shumë i rëndësishëm për Kishën e parë dhe për autoritetin e njohur të papës në qeverisjen dhe në udhëheqjen shpirtërore e morale të bashkësive të ndryshme. «Do të na jepni gëzim e hare», i shkruante papa Klementi Kishës së Korintit të ndarë nga një skizmë e brendshme, «nëse duke iu përkulur këshillave të shkruara nga ne me hirin e Shpirtit Shenjt, do ta përjashtoni ndjenjën e ndaluar të zilisë». Kjo është gjurma e rëndësishme e lënë nga papa Klementi. Për të na flet edhe bazilika kostandiniane e ndërtuar në pjerrësirën e Çelios, ndoshta në pjesët e banesës së tij, ku ruhen reliktet e tij të sjella aty në shekullin IX nga Krimea përmes apostullit të madh të sllavëve, shën Cirilit.
Sipas një tradite të vjetër, papa Klementi u mërgua nga perandori Trajani në një qytet të Kersonesos, së bashku me shumë të krishterë të tjerë, të dënuar me punë të rënda në shpellat e mermerta. Prania e tij qe një ngushëllim i madh për të burgosurit, derisa vetë perandori ngarkoi një gjykatës që t’ia ndërpriste veprimtarinë duke e dënuar me vdekje, në rast se Klementi nuk do ta mohonte Krishtin duke u kushtuar fli hyjnive të Romës. Pas refuzimit të tij të parashikueshëm, Klementi u dënua me vdekje. Ia lidhën një çengel në qafë dhe e hodhën në det. Kjo traditë ishte mjaft e njohur. Kështu, kur Shën Cirili shkoi në Krime në vitin 868 për të ungjillëzuar Cazarët, atij iu tregua një gropë brenda së cilës ishin zbuluar kocka njerëzore bashkë me një çengel dhe kjo veçanti e shtyu Cirilin të mendonte se kishte gjetur reliktet e papës së shenjtë. Më vonë Cirili i çoi reliktet në Romë që të ruheshin në bazilikën kushtuar atij.