Shenjti i ditës: 23 mars – Shën Turib Alfons de Mongrovejo, ipeshkëv (1538 – 1606)

Written by on March 22, 2017

Shenjti i ditës: 23  Mars – Shën  Turib Alfons de Mongrovejo, ipeshkëv (1538 – 1606)

 

            Pas katërmbëdhjetë vitesh jete ipeshkvore në Botën e Re, duke i shkruar mbretit të Spanjës, Filipit të II, i cili e kishte propozuar ipeshkëv të Limës, Turibi bëri një bilanc të aktivitetit të tij misionar: kishte përshkuar katërmbëdhjetë mijë kilometra gati gjithnjë në këmbë, për t’u ndarë krezmimin gjashtëdhjetë mijë të krishterëve, mes të cilëve tre shenjtërve të ardhshëm, Roza nga Lima, Françesk Zolani dhe Martin de Porres. Por këtë nuk mund ta parashikonte. E njihte gjerësinë e territorit që ishte nën kompetencat e tij, i cili përfshihej në një hapsirë prej pesë mijë kilometrash, nga Peruja deri në Kolumbi: gjashtë milion kilometër katror, njëzet herë sa Italia. Turibi mund të mbështetej në shëndetin e mirë dhe moshën e re: ishte zgjedhur ipeshkëv në moshën dyzet e dy vjeçare,  duke kaluar nga katedra universitare (mësonte drejtësi në Salamankë) dhe nga gjykata e inkuizicionit të Granadës, president i të cilës ishte, në tokat e pazbuluara të Amerikës Latine.

            Megjithëse Turibi ishte një shekullar, i rritur mes bankave të shkollës e sallave të gjykatës, me kërkesën e mbretit të Spanjës, Filipi II, papa Gregori XIII e aprovoi emërimin e tij si ipeshkëv i Limës, kjo qe një zgjedhje e lumtur. Pasi mbërriti në selinë e tij, në muajt e parë të vitit 1581, ipeshkvi i ri nuk vonoi të përshtatej. «Koha», thoshte ai, «është e mira jonë e vetme, dhe do t’i japim llogari Hyjit për të». Organizoi Kishën në dioqezat e ndryshme si: Kuzko, Kartagjenë, Popayan, Katakas, Bogotë, Santiago, Koncepcion dhe Kordobë. Organizoi dhjetë sinode dioqezane dhe tre provinciale, i pari i të cilëve në Limë, një vit pas ardhjes së tij. Një sinod që për rëndësinë e tij është krahasuar me Koncilin e Trentit. Dhjetë vite më pas lindi me nismën e tij, seminari i parë në Amerikë

            Numri i doctrinas ose famullive kaloi nga 150 në 250 falë kontakteve të tij bindëse me të gjitha bashkësitë françeskane e domenikane të Amerikës Qëndrore, duke i bindur fretërit për të pranuar kujdesin e famullisë, mbi të gjitha në zonat më të paqeta dhe të largëta. Dashuria për Indianët e qoi shpesh gati në prishjen me qeveritarët spanjollë. Vdiq në një kapelëz mes Indianëve të tij dhe u kanonizua në vitin 1726.


Current track

Title

Artist