Shenjti i ditës: 23 Maj – Shën Gjoni Pagëzues de Rosi, meshtar (1698 – 1764)
Written by Radio Maria on May 22, 2017
Shenjtja i ditës: 23 Maj – Shën Gjoni Pagëzues de Rosi, meshtar (1698 – 1764)
Gjoni Pagëzues de Rosi u lind në Voltaxho, në provincën e Gjenovës. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç kur la vendin e lindjes, për t’u nisur drejt Romës i ndihur nga fati. Mbi të gjitha ishte i armatosur me një dëshirë të madhe për të studiuar. Një kushëri i tij ishte kanonik në Shën Maria në Kosmedin. Ai e ndihmoi me ushqim e strehim dhe i dha mundësinë për të studiuar në Kolegjin Romak, që drejtohej nga jezuitët. Në shkëmbim, ky ndihmonte në shoqatat e të rinjve.
Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare vendosi të bëhej prift. Përfundoi studimet teologjike pranë domenikanëve në Minervë dhe më 8 mars 1721 u shugurua meshtar. Përvojat e fituara në shërbimin famullitar, afër kushëririt, e mbi të gjitha në grupin studentor të Shën Gregorit në Celio, e shtynë t’i jepte jetë Bashkimit të Përshpirtshëm të Priftërinjve shekullarë. Ishte një formë e re apostullati dhe shoqate, sepse nuk ishte e rezervuar vetëm për burrat, por e hapur edhe për gratë. Ndihma e paçmuar e këtyre të fundit i dha një limfë të re institucionit të vjetër të vendosur në krah të strehës së Shën Galës.
Bashkimi i Përshpirtshëm u zgjerua shpejt. Ai u vendos nën mbrojtjen e shën Luigji Gonzagës. Në dy shekuj jetë u udhëhoq nga meshtarë shenjtër. Mes të cilëve ishte edhe papa Piu IX i ardhshëm, i cili do ta shpallë të lumtur Gjon Pagëzor de Rosin. Qenë të shumta nismat e këtij meshtari të brishtë e dinamik, me anë të të cilave njerëzit e Romës së vjetër kishin mësuar ta njohin e ta vlerësojnë. Ai njihet për vetësigurinë me të cilën futej mes njerëzve në pijetore, i bënte të dëgjonin dhe në fund i bindte më kokëfortët për të dëgjuar një fjalë të mirë. Kanoniku i Shën Marisë në Kosmedin qe kushëriri i tij. U shkarkua nga detyra e korit, por vepra e tij e apostullatit mes njerëzve të lagjeve romake, mes karrocierëve, e barinjve ishte shumë e çmuar. Banonte rrëzë Malit Kaprin (kështu quhej në atë kohë Kampidoli i lavdishëm!). Ai ishte mospërfillës ndaj epilepsisë, që e kishte goditur që në rini, dhe një sëmundjeje të rëndë në sy. Punoi pa pushim dhe jetoi deri në ditën e fundit mes të sëmurëve, të burgosurve dhe pendestarëve që ishin gjithnjë e më të shumtë në rrëfyestoren e tij. U kanonizua më 8 dhjetor 1881.