Shenjti i ditës: 23 gusht – Shën Roza nga Lima, terciare domenikane, pajtore e Amerikës Latine (1586 – 1617)

Written by on August 22, 2017

 
Shenjti i ditës: 23 Gusht – Shën Roza nga Lima, terciare domenikane, pajtore e Amerikës Latine (1586 – 1617)

 

Shenjtëresha e parë e Botës së Re nuk mund të ishte tjetër veç një lule e ardhur nga Evropa. Izabela Flores y de Oliva është bijë e prindërve spanjollë të emigruar në koloninë e pasur të Perusë. Ishte shërbyesja që filloi ta quante Roza, e goditur nga bukuria e jashtëzakonshme e vajzës; më vonë, kur hyri në Urdhërin e Tretë domenikan, Izabela dëshiroi të quhej Roza e Shën Marisë, duke e pasuruar me këtë lule kopshtin e shenjtërve. I përket urdhërit domenikan njëlloj si Shën Katerina e Sienës, të cilën e imitoi mjaft mirë. Duke mos qenë një kuvend femëror, ndërtoi çelën e saj në kopësht dhe meqenëse familja u varfërua, e fitonte jetesën si mëditëse në punën e fushës dhe me qepje, duke qëndruar deri natën vonë për të arnuar nën dritën e qiriut. Kështu pak orë gjumë mbi një shtrojë prej kallamishtesh dhe në ijë grathorja e pamungueshme me qimet që e shponin, për një dëshirë vuajtjeje të pakonceptueshme për atë që nuk është i thelluar në të fshehtat e askezës së krishterë.

Pendesave trupore të vullnetshme shpejt iu shtuan edhe vuajtjet e një sëmundjeje të gjatë, kryesisht për shkak të mohimeve që Roza bënte. Dhe për ata që e ngushëllonin ajo kishte gjithmonë përgjigjen që mund ta japin vetëm shenjtërit: «Ëmbëlsitë dhe lumturia që mund të m’i ofrojë bota janë vetëm një hije përballë asaj që ndjej». E parë nga jashtë, kjo botë e saj mund të dukej një vend plot dhimbje, por brenda ishte një lulëzim i vërtetë me hire që japin gëzimin e vërtetë: «Po ta dinin njerëzit», thoshte përsëri, «se çfarë do të thotë të jetosh në hir, nuk do të frikësoheshin për asnjë vuajtjeje dhe do të vuanin me dëshirë çdo lloj dhimbje, sepse hiri është fryt i durimit». Durim që do të thotë aftësi për të vuajtur dhe Roza diti të pranonte dhe të duronte si vuajtjet fizike ashtu dhe ato mendore që do të shkurajonin edhe vetë Jobin. Në muajt e fundit të jetës, e mbetur vetëm, bashkëshortët Maca e morën nga shtrati i vuajtjes së saj; vdiq; ashtu siç e kishte parashikuar prej kohësh, ditën e shën Bartolomeut, më 24 gusht. U kanonizua në vitin 1671.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend