Shenjti i ditës: 22 tetor – Shën Gjon Pali II, papë

Written by on October 13, 2022

Shenjti i ditës: 22 tetor – Shën Gjon Pali II, papë
 
 
Karol Wojtyła – lindi në vitin 1920 në Wadowice, Poloni. Humbi nënën e tij kur ishte nëntë vjeç. Kur ishte dymbëdhjetë vjeç, i vdiq vëllai i madh. Më vonë regjistrohet në universitetin në Krakov, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, për të studiuar letërsi. Por një vit më vonë Gjermania pushton Poloninë, universiteti mbyllet dhe profesorët dërgohen në kampet e përqendrimit. 
 
Gjatë pushtimit gjerman, Karoli, që dëshironte të bëhej aktor, vinte në skenë shfaqje teatrale klandestine me miqtë e tij, e gjithashtu punonte në një gurore dhe një fabrikë kimike.
 
Por Hyji kishte një plan më të madh për të. Babai i tij, një njeri i përshpirtshëm, e mësoi se si të thërriste Shpirtin Shenjt. Një mik, rrobaqepësi Jan Tyranowski, i tregon për bukurinë e jetës së brendshme. Gjatë kësaj kohe, Vojtila e merr thirrjen për t’iu kushtuar Hyjit në meshtari.
 
Studion në seminarin klandestin të Krakovit dhe shugurohet në vitin 1946. Ipeshkvi i tij vuri në dukje dhuntitë intelektuale dhe shpirtërore të priftit të ri dhe e dërgoi për të përfunduar doktoraturën në Romë. Pas ca kohësh, Vojtila bëhet profesor i teologjisë morale dhe etikës në Krakov dhe Lublin, ku një grup studentësh e shoqëronte shpesh në shëtitjet në male.
Ishin përvoja të tilla me të rinjtë dhe diskutimet e tyre, do të thoshte më vonë Vojtila, që e bënë atë “të dashurohej me dashurinë njerëzore”. Ato do të bëheshin baza e gjallë për teologjinë e dashurisë njerëzore.
 
Tashmë, si Ipeshkëv ishte një predikatar i fuqishëm që filloi të kremtonte çdo vit meshën e mesnatës së Krishtlindjeve në një fushë për banorët e Nowa Huta, një lagje punëtorësh që autoritetet e kishin ndërtuar qëllimisht pa kishë.
 
Gjatë Koncilit II të Vatikanit, 1962-1965, Ipeshkvi Vojtila mori pjesë gjerësisht, duke kontribuar në hartimin e Kushtetutës Baritore Gaudium et spes dhe në dokumentin mbi lirinë fetare, Dignitatis humanae.
 
Në vitin 1967 u bë Kardinal, e në 1978, pason të lumin Gjon Pali I mbi kryesinë e Kishës, duke marrë emrin Gjon Pali II, në nder të paraardhësit, i cili vdiq në mënyrë të papritur, vetëm 33 ditë më vonë.
 
Më 22 tetor 1978, në meshën inauguruese të pontifikatit të tij, Papa Gjon Pali II i thirri mbarë botës: “Mos kini frikë! Hapni dyert për Krishtin!” Krishtit në të cilin njeriu kupton vetveten, Krishtit, Shëlbuesit të njeriut.
 
Ky Papë do të udhëtonte rreth 1,100,000 kilometra nëpër botë, për t’u treguar njerëzve dashurinë e këtij Shëlbuesi të njeriut dhe për t’i ftuar ata të heqin dorë nga frika e tyre.
 
Gjon Pali II ishte gjithnjë i palodhur, gjithmonë i bindur se njeriu është “rruga e Kishës” dhe se “shkëlqimi i së vërtetës rrezaton… në një mënyrë të veçantë te njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës Hyjit(Veritatis Splendor 1). Ai ishte i hapur sa herë që ndeshej me ndonjë ideologji që kërcënonte dinjitetin e personit njerëzor, nga diktatura e marksizmit e deri te kapitalizmi i shfrenuar. Lëvizja e Solidaritetit në Poloni, mori forcë nga fjalët dhe shembulli i tij, të cilat ndihmuan në përshpejtimin e rënies së komunizmit në të gjithë Evropën Lindore.
 
Që nga fillimi i pontifikatit të tij, Gjon Pali II u përpoq të shëronte përçarjet midis kishave të krishtera, veçanërisht me Kishën Ortodokse. Ai ishte i bindur se plaga e ndarjes ishte në kundërshtim me vullnetin e Zotit dhe dobësonte dëshminë e krishterë.
 
Por kjo rrugë nuk do të ishte e lehtë. Në vitet e fundit, shëndeti i rij rëndohet, me sëmundjen e parkinsonit dhe humbjen graduale të aftësisë së të folurit. Por siç vërejti pasardhësi i tij, Benedikti XVI, ky “mjeshtër i fjalëve” kishte ende, jo për të thënë, por për të treguar se “Zoti na shpërbleu me kryqin e me mundimin e vet, si një akt i madh dashurie”.
Në vitet e fundit të pontifikatit të Gjon Palit II, ai ngushëlloi të sëmurët me sëmundjen e tij; në muajt e fundit – duke përfshirë një bekim të heshtur që iu dha turmave nga dritarja e tij – ai tregoi se çfarë do të thoshte të jetosh realitetet e vuajtjes dhe vdekjes në Krishtin, si pjesë e Trupit të tij.
 
Kalon në amshim, më 2 prill 2005, në vigjiljen e festës së Mëshirës Hyjnore. Në vitin 2011shpallet “I Lum”, e në 2013, Papa Françesku e shpall “shenjt”.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend