Shenjti i ditës – 22 shkurt – Shën Margerita nga Kortona, terciare françeskane (1247 – 1297)
Written by Radio Maria on February 21, 2017
Shenjti i ditës – 22 shkurt – Shën Margerita nga Kortona, terciare françeskane (1247 – 1297)
Ngjarja njerëzore e kësaj shenjtëreshe duket se është marrë nga tema e një romani «dashurie», nxjerrë nga tregimet popullore. Lindi në një fshat të Toskanës afër Kiusit dhe ishte bija e një pronari të vogël tokash. Vendosi të largohet nga shtëpia pasi që i ati, i mbetur i ve, solli në familje një «njerkë» xheloze dhe intriguese. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare Margerita shkon të bashkëjetojë me djaloshin Arsen, në kështjellën e Montepulçianos. Qëndron nëntë vjet me të, duke mos e çarë kokën për shkandullin dhe sjell në jetë një djalë. I dashuri vritet gjatë njërës prej ngatërresave të shumta mes guelfëve dhe gibelinëve, ose – siç thonë disa historianë të tjerë – për një larje hesapesh me një rival. Ishte qeni i familjes që e udhëhoqi Margeritën për të gjetur kufomën e Arsenit, të fshehur nën gjethe te këmbët e një druri lisi.
Margerita vendos atëherë të ndryshojë jetë. E lë kështjellën e Montepulçianos bashkë me të birin dhe shkon të trokasë në shtëpinë atërore, por përzihet keqas prej aty. Gjen mikpritje afër kuvendit françeskan të Kortonës. Në vitin 1277 pranohet në Urdhrin e Tretë françeskan dhe u kushtohet veprave të dashurisë. Pak më pas e themelon vetë një kuvend ngjitur me spitalin për të ndihmuar gratë shtatzëna. Kjo e lejon të fitojë bukën e gojës dhe të rrisë me dinjitet të birin, i cili më pas do të bëhet frat minor françeskan.
Prej këtu e më tutje jeta e Margeritës ecën në binarin e dashurisë ndaj të varfërve dhe pendesave të ashpra që bën. Fle mbi «trarë të thurur me shelgje» ose në tokë, pa asgjë, fshikullohet dhe agjëron. Deri në vitin 1288, jeton në një qeli të vogël afër kishës së Shën Françeskut, nën drejtimin shpirtëror të vëlla Gjunta Bevinjatit. Pastaj mbyllet sërish afër Kështjellës në një qeli pranë Kishës së Shën Bazilit, të cilën ajo vetë e ristrukturon. Prej këtu, e zgjedhur «përcjellëse e urdhrave të Krishtit» dhe «predikuese paqeje» mes qytetarëve ngatërrestarë, Margerita transmeton atë që Jezusi ia zbulon në bisedat e shpeshta, në ato «lartësime shpirtërore» mistike që u rezervohen shpirtrave të zgjedhur. Kur vdiq, më 22 shkurt 1797, u varros në kishën e Shën Bazilit, në tempullin e ri kushtuar asaj, të ngritur në vitin 1927 në dinjitetin e bazilikës.