Shenjti i ditës: 22 korrik – Shën Maria Magdalenë, nxënëse e Jezusit (shekulli I)
Written by Radio Maria on July 21, 2017
Shenjti i ditës: 22 Korrik – Shën Maria Magdalenë, nxënëse e Jezusit (shekulli I)
Magdala, një fshat në bregun perëndimor të liqenit të Gjenezaretit në Galile, është fshati i lindjes së Marisë, e quajtur Magdalenë, e cila dallohet nga Maria e Betanisë, motra e Lazrit (Betania është një fshat afër Jerusalemit) dhe nga Maria «mëkatare» e cila ndërhyn befasishëm në shtëpinë e Simonit ku Jezusi ishte mik atë ditë dhe hante në tryezë. Maria e Magdalës është nxënësja besnike e cila shkon pas mësuesit të saj që nga Galilea në Jude «me shumë gra të cilat e mbështetnin Jezusin me të mirat e veta» sëbashku me apostujt. Maria e Magdalës është ajo e cila gjithmonë e shoqëron Zojën e bekuar deri në këmbët e kryqit, bashkëndan dhimbjen e kryqëzimit dhe të vdekjes së birit me të. Maria Magdalenë vonohet në kërkim plot dashuri «përballë varrit të hapur» në agimin e ditës së parë të javës, pas pritjes së detyruar të së shtunës, e para vrapon tek varri. Dashuria e saj zjarrtë u shpërblye nga i Ngjalluri të cilin ajo e njohu vetëm kur Ai e shqiptoi emrin e saj, siç bëhet me të afërmit në familje: «Mari!» Asaj Shëlbuesi ia beson lajmin e madh të Ringjalljes: «Shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, tek Hyji im dhe Hyji juaj».
Kjo është Maria Magdalenë të cilën Kisha sot e përkujton si përkujtim të detyrueshëm në kalendarin e përgjithshëm. Përpara, liturgjitë perëndimore – nën ndikimin e shkrimeve të shën Gregorit të Madh dhe nga emri i përgjithshëm Mari – e patën identifikuar si një grua të vetme Marinë e Betanisë, të quajtur mëkatare dhe Marinë Magdalenë. Njëjtësimi qe refuzuar gjithmonë nga tradita e Kishës lindore dhe nga shkrimet e Etërve grekë. Me ta përputhet edhe kalendari i ri romak. Është legjendë e qartë udhëtimi dhe banimi i Magdalenës në Gali. Sipas një tradite greke Maria Magdalenë shkoi të jetonte në Efes afër Nënës së Jezusit dhe Gjonit apostull.