Shenjti i ditës – 21 shtator: Shën Mateu, apostull e ungjilltar
Written by Radio Maria on September 20, 2017
Shenjti i ditës – 21 shtator: Shën Mateu, apostull e ungjilltar
«Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë….»: janë fjalët e Jezusit që lexohen në Ungjillin sipas Mateut. Një qortim i tillë duhet ta ketë goditur në mënyrë të veçantë. Ishte në fakt tagrambledhës i taksave në Kafarnaum para se të bashkohej me apostujt e tjerë, duke iu përgjigjur me entuziazëm thirrjes së Mësuesit. «Levi», Luka e quan me emrin e vjetër «i bëri gati Mësuesit në shtëpinë e vet një gosti të madhe; Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë». D.m.th një festë lamtumire miqve të një kohe fajdexhinj e gjakpirës, për të ndjekur Mësuesin, mësimin e të cilit e kishte pranuar me guxim: «Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë». «Mateu, tagrambledhësi….»: Ungjilltari e përsërit shumë herë këtë emër, «për tu treguar lexuesve», shkruan shën Jeronimi, se askush nuk duhet të dëshpërohet për shpëtimin, nëse kthehet në një jetë më të mirë». Dhe Shën Pjetër Krizologu komenton: «Ai që u merrte lekët njerëzve është bërë shpërndarës i hirit. Ai që ishte formuar në shkollën e pabesisë është bërë mësues i mëshirës njerëzore; mësuesi i lakmisë është shndërruar në mësues mëshire».
Pas ngjarjes së thirrjes së Levit – Mateut nuk ka informacione të tjera direkte mbi këtë apostull. Duket se pas Rrëshajve nuk është paraqitur para gjykatësve dhe as i ka bërë dëshmi Krishtit me martirizim, edhe pse disa burime, pak të besueshme, përshkruajnë me shumë hollësi martirizimin: Mateu është vrarë me gurë, djegur e kokprerë në Etiopi. Prej këtu relikët e tij janë çuar më parë në Paestum e përfundimisht në Salernon e afërt, ku nderohen akoma. Por nga Mateu mbetet ai dokument i mrekullueshëm feje e dashurie që është Ungjilli i tij, i shkruar sigurisht para shkatërrrimit të Jeruzalemit dhe i drejtuar judenjve – të krishterë, nuk ka dyshim, për shqetësimin që ndjehet në faqet e tij për t’iu treguar njëfetarëve të tij se Krishti është Mesia për të cilin flet Shkrimi.