Shenjti i ditës: 21 Mars, Shën Serapioni i Tmuis, ipeshkëv (+370)
Written by Radio Maria on March 20, 2017
Shenjti i ditës: 21 Mars, Shën Serapioni i Tmuis ipeshkëv (+370)
Emri i Serapionit, jo shumë i dëgjuar në onomastikën perëndimore, numëron njëmbëdhjetë shenjtër në Afrikë dhe në Azinë e Vogël. Shenjti i sotëm do të meritonte të vendosej, për zellin apostolik, doktrinën dhe shenjtërinë, afër mikut të tij Atanasit ndërsa për origjinalitetin e praktikimit të këshillave ungjillore afër mikut tjetër Antonit abat. Të ushqyer me lutje në vetminë e shkretëtirës egjiptiane, tre murgjit nuk kanë ngurruar të zbresin në fushë për të kundërshtuar herezinë ariane, që kishte lindur pikërisht në atë shekull nga një meshtar aleksandrin, Ariusi, i cili deshi t’i jepte një shpjegim teologjik misterit të Trinisë duke e bërë Krishtin një ndërmjetës të thjeshtë mes Hyjit e njerëzve në rolin e birit adoptiv.
Serapioni, i formuar në shkollën katekistike të Aleksandrisë, preferoi të ndiqte Antonin abat në shkretëtirë. Duke vdekur, murgu i shenjtë, i la si trashëgimi, përveç jetës vetmitare, tunikën e tij me lëkurë dhie. Një gjest në formën e një parashikimi. Sepse më vonë Serapioni u thirr në jetën ipeshkvore me seli në Tmuis, qytet i Egjiptit të Poshtër, që do të thotë «dhi». Serapioni e la kuvendin me keqardhje të sinqertë. Këtë e shpreh në Letrën drejtuar murgjve, në të cilën lartëson, me gjallëri dhe me naivitetin e atij që ka jetuar larg nga jeta e zhurmshme e qytetit, zgjedhjen e mrekullueshme që e kanë bërë murgjit duke lënë pas shpine joshjet e kënaqsive jetëshkurtëra të kësaj bote për t’u drejtuar nga lumturia që nuk mbaron, çmim i atij që ka ditur ta luftojë luftën e mirë.
Jeta e murgut, shkruante ai, është oferta e përditshme flijuese për të fituar dashurinë e Hyjit për të mirën e Kishës dhe bashkësisë njerëzore, si imitim i Abrahamit dhe Moisiut. Në planin doktrinal, Serapioni u vendos përkrah ipeshkvit luftëtar Atanasit për të hedhur poshtë gabimet e Ariusit; pastaj luftoi në një front tjetër, për të kundërshtuar përparimin e manikeizmit, në rrjetën e të cilit do të bjerë edhe Augustini i ri. Është i tij Libri kundër manikeive në të cilin u bën thirrje besimtarëve të tij «që të mos lejojnë të goditen as nga gabimi më i vogël dhe të lartësojmë një kështjellë të bukur në shpirtin tonë që të mos biem pre e një gabimi më të madh». Mes veprave të tjera të Serapionit është, Sakramentari, i zbuluar në 1879, që është një burim i çmuar mbi traditat e vjetra liturgjike.