Shenjti i ditës: 20 korrik – Shën Elia, profet (shekulli IX para. K)
Written by Radio Maria on July 19, 2017
Shenjti i ditës: 20 Korrik – Shën Elia, profet (shekulli IX para. K)
Elia është njëri ndër profetët më të mëdhenj veprues sëbashku me Elizeun dhe Samuelin. Pati si detyrë ta rikthente popullin tek Hyji i vetëm siç do të thotë vetë emri Eli: «Hyji im është Jahveu». Izraeli, duke u shkëputur nga mbretëria e Judës kalonte një periudhë të ecjes andej e këndej në planin e fesë, gjatë mbretërimit të mbretit të dobët Akabit (873 – 854), nën ndikimin mashtrues të gruas së tij Jezabelës, e cila ishte fenikase dhe kishte futur në vend kultin e Baalit. Për të zhdukur këtë idhujtari, Hyji dërgoi profetin e vet tek mbreti Akabi për t’i paraqitur ndëshkimin: tri vite thatësirë. Gjatë ndëshkimit Elia u strehua pranë lumit Karit, e pastaj kur edhe ky u tha u strehua në shtëpinë e një vejushe në Zareptë afër Sidonit. Aty shumzoi miellin dhe vajin, pastaj pagoi me begati zemërgjerësinë e saj duke ia ngjallur djalin.
Të tretin vit Elia u paraqit sërish tek mbreti dhe mori leje që të bisedojë me popullin në malin Karmel, ku ndodhi sfida mes tij dhe katërqint priftave të Baalit. Secili vendosi flinë në altarin përkatës duke kërkuar që të vinte zjarri nga qielli. Ky erdhi vetëm pas lutjes së Elisë dhe e djegu flinë të cilën profeti e kishte lagur me ujë për të theksuar mrekullinë. Kjo ishte fitorja e Jahveut ndërsa populli i vrau priftat e Hyjit të rrejshëm. Por Elisë edhe kësaj here iu desh të ikte për të shpëtuar nga zemërimi i Jezabelës. Duke kaluar shkretëtirën, i rraskapitur nga uria dhe lodhja, Elinë e përfshiu tmerri. Iu afrua një engjëll që i dha zemër dhe ia solli një kulaç dhe ujin që do t’ia kthejë fuqinë falë të cilës do të përballojë ditët e udhëtimit që të arrinte në malin Horeb, ku pati takimin misterioz me Hyjin. Aty përmes një puhie të lehtë të erës Elia hetoi se fitorja e së mirës mbi të keqen, nuk vjen me gjeste spektakolare. Duhet të dimë të presim orën e të vërtetës me qëndrueshmëri, sepse Hyji është i përjetshëm dhe zotëron kohën dhe nuk vepron si shtërmgatë e cila rrënon por si puhizë e cila jep jetë. Tregimi i jetës së tij plot gjallëri është paraqitur në dy librat e mbretërve.