Shenjti i ditës – 2 shkurt – Kushtimi i Jezusit

Written by on February 1, 2017

Shenjti i ditës – 2 shkurt – Kushtimi i Jezusit

 

«Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit», shkruan Shën Pali (Gal 4, 4). Sipas Ligjit, çdo grua, që ka sjellë në jetë një fëmijë, duhet të paraqitet në Tempull pas dyzet ditësh për t’u pastruar. Kështu edhe Maria e bëri këtë veprim dëgjese ndaj ritit ligjor, duke shkuar në tempull. Ajo, duke qenë virgjër si në nxënie ashtu edhe në amësi, nuk kishte nevojë për pastrim. Reforma liturgjike e vitit 1969 ia ka kthyer festës së sotme titullin «Kushtimi i Zotit», për të cilin e kemi dëshminë e parë në shekullin e IV në Jerusalem. Ligji thoshte se fëmija i parëlindur duhej t’i kushtohej Zotit si fryt i parë, e më pas duhej të jepeshin nga familja një palë turtuj, nëse ishte e varfër, për t’ia kushtuar si fli Hyjit.

            Ky kushtim e paraqet Jezusin në shtresën e përgjithshme të bijve të Izraelit. Por në këtë gjest pranimi të përvuajtur zbulohet përmbushja e Premtimit. Simoni i vjetër, i cili priste prej vitesh ardhjen e Mesisë, njeh te fëmija të Priturin dhe duke e mbajtur para duarsh, bën falënderimin e tij duke thënë: «Tani o Zot mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe». Tani ai mund të largohet në paqe nga kjo botë, pasi sytë e tij e panë Shëlbimin. Në gëzimin e profetit të vjetër merr pjesë edhe një vejushë tetëdhjetëvjeçare, Ana, e cila e kishte bërë tempullin si banesën e vet. Edhe ajo jetonte në pritje të përmbushjes së Premtimit dhe, e ndriçuar nga Shpirti, dallon te fëmija atë që njerëzit prisnin.

            Takimi dhe fjalët e dy profetëve nuk i habisin prindërit e Jezusit, njomësia fëmijërore e të cilit i bën hije misterit të pazbulueshëm të Mishërimit hyjnor. Luka Ungjilltar kufizohet me theksimin e mrekullimit në atë skenë të papritur. «E ëma edhe i ati ishin të mrekulluar për aq sa u tha për të». Pas habisë, vjen dhimbja e një parashikimi dramatik që e sheh Jezusin si shenjë kundërshtimi: një betejë mes grupesh të kundërta dhe në mes një nënë me zemër të dridhur e të shporuar nga shpata e dhimbjes.


Current track

Title

Artist