Shenjti i ditës: 2 Prill – Shën Françesk di Paoli, vetmitar dhe themelues (1416 – 1507)

Written by on April 1, 2017

2 Prill – Shën  Françesk di Paoli, vetmitar dhe themelues (1416 – 1507)

 

Në vitin 1943 ky shenjt, vetmitar i hershëm, është shpallur pajtor i lundërtarëve, megjithëse nuk kishte vënë këmbë asnjëherë në një anije. Ky titull i është dhënë duke u mbështetur në një tregim popullor, nga i cili mësohet se: Françesku gjatë njërit prej shumë shtegtimeve, pasi kishte mbërritur në Ngushticën e Mesinës, u kërkoi disa peshkatarëve që ta kalonin për të shkuar në Sicili, pasi ata i refuzuan (ndoshta gjendja e detit kërkonte kujdes) e shtriu pelerinën mbi sipërfaqen e ujit dhe mbi atë varkë të pazakonshme kaloi drejt ishullit. Feja i lëviz edhe malet…. Kjo dhe të tjera mrekulli ia përhapën famën e shenjtërisë, të cilën e gëzonte që në rini kur në moshën katërmbëdhjetë vjeçare e braktisi familjen e qytetin dhe shkoi të strehohej mes maleve, i vendosur për ta kaluar krejt jetën si vetmitar.

            Humbën gjurmët e tij, ose ndoshta asnjëri prej familjarëve nuk u shqetësua që të shkonte për ta kërkuar. Por një ditë një gjahtar, u tërhoq nga qeni i tij drejt shpellës së vetmitarit dhe nuk iu duk e vërtetë që të mund t’ua tregonte njerëzve. Shumë të rinj shkuan tek ai. Në atë kohë rinia tërhiqej edhe nga shembulli i shenjtërve. Ishte kështu që Françesku i dha jetë urdhërit të fretërve më të vegjël, do të thotë ndjekësve të fundit të shën Françeskut të Asizit. Dhe një papë me emrin  Françesk (Siksti V) e aprovoi, por në këmbim i kërkoi të plotësonte kërkesën e mbretit të Francës, Luigjit XI, i cili ishte i sëmurë dhe e priste shërimin përmes ndërmjetësimit të fratit mrekullibërës, fama e të cilit i kishte kaluar Alpet. Frati i përvuajtur nuk iu shmang misionit që ia besoi papa. U nis drejt veriut, mbërriti, Zoti e di se si, në Plessis – les – Tours, për të ngushëlluar të sëmurin e famshëm i cili nuk ishte aspak i gatshëm të vdiste; nuk ia shëroi trupin, por shpirtin, dhe e ndihmoi të pranonte vullnetin e Hyjit duke e përforcuar me anë të sakramenteve. Mbreti i ri që u vendos në fronin e Francës pas Luigjit XI arriti ta mbante në Plessis shenjtin për ta pasur si këshilltar dhe rrëfyes. Këtu Françesk di Paola kaloi pjesën tjetër të jetës. U kanonizua dymbëdhjetë vjet pas vdekjes.


Current track

Title

Artist