Shenjti i ditës: 2 Maj – Shën Atanazi, ipeshkëv dhe mësues i Kishës(295 – 373)

Written by on May 1, 2017

Shenjti i ditës: 2 Maj – Shën Atanazi, ipeshkëv dhe mësues i Kishës(295 – 373)

 

            Atanazi nderohet botërisht si “atë i ortodoksisë” dhe “mbrojtës i Hyjnisë së Krishtit”, për mbrojtjen e së cilës pësoi pesë herë mërgimin, në Trevir, në Romë dhe në shkretëtirën egjiptiane. Pak muaj pas kthimit nga Nikea, ku kishte shoqëruar ipeshkvin e tij, Shën Aleksandrin, në  Koncilin ekumenik, u thirr për të zënë vendin e tij në selinë e Aleksandrisë së Egjiptit, pikë ndeshjesh mes besimeve si ai pagan, hebre, i krishterë, me sektet përkatëse relative, gnostike dhe manikeiste.

Është ky vendi ku Atanasi e zhvilloi natyrën e tij prej luftëtari. Që nga fëmijëria kishte mësuar të bashkëjetonte me persekutimin e kundër-krishterë të Dioklecianit. Nga një diakon i thjeshtë, i pajisur mirë nga ana kulturore, filloi luftën kundër Ariusit që propagandonte pikërisht në Aleksandrinë e Egjiptit teorinë kundër-trinitare, e cila e ulte Krishtin në një krijesë të thjeshtë, “bir i Hyjit për hir”.

            Koncili i Nikesë kishte rivendosur “të vërtetën e fesë”, por jo paqen. Pasi u zgjodh ipeshkëv, iu desh të harxhonte shumë energji për të ndaluar herezinë, e maskuar nga Meleci. Rifillimi i arianizmit përkoi në fakt me zgjedhjen e tij si ipeshkëv. Disa ipeshkvij “melecianë” ia vështirësuan jetën, me akuza të turpshme, si ajo se kishte abuzuar me një grua dhe se kishte vrarë ipeshkvin e Ipsalës, Arsenin. Fatmirësisht ky u rishfaq i gjallë dhe tërë shëndet.

 

Por, arianët arritën të përfshinin në diskutimet fetare vetë perandorët e ardhur pas Kostandinit, dhe Atanazi, i mbajtur një rrezik për paqen fetare, u dërgua vazhdimisht në mërgim. Ipeshkvi luftëtar përfitoi nga këto pushime të detyrueshme për të kalitur shpirtin mes murgjve të shkretëtirës. E nderonte shumë Antonin abat, patriarkun e murgjve vetmitarë. Do të shkruajë biografinë e çmuar që ndezi me entuziazëm për jetën vetmitare shumë të rinj edhe në Perëndim. Me ardhjen e perandorit Valentin, morën fund ikjet e tij të nxituara dhe mërgimi, dhe kështu Atanazi mundi t’i kushtohej qetësisht përkujdesjes për grigjën e vet dhe shkrimeve teologjike për të cilat nderohet si një prej katër mësuesve grekë.


Current track

Title

Artist