Shenjti i ditës: 19 shkurt – Shën Konrad Konfalonieri nga Piaçenca, terciar françekan (1290 – 1354)

Written by on February 18, 2017

Shenjti i ditës: 19 shkurt – Shën Konrad Konfalonieri nga Piaçenca, terciar françekan (1290 – 1354)

 

Jeta e këtij shenjti fillimisht nuk ishte në harmoni me idealin e dashurisë që kishin françeskanët për të gjitha krijesat, përfshirë edhe shpendët. Konradi ishte një fisnik që i donte turnetë dhe armët, një ushtar fatkeq që mes një beteje në tjetrën shkonte për gjueti lepujsh e gjinkallash mes pyjeve të Padanisë. Një ditë, për të nxjerrë nga strofulli gjahun, nuk ngurroi t’i vinte zjarrin një pylli të tërë, duke i shkrumbuar edhe të korrat e fushave që ndodheshin afër. Qeveritari i Piaçencës, që ishte qyteti i lindjes së gjahtarit të pakujdesshëm, për të qetësuar zemërimin e kultivuesve, e dënoi me vdekje të parin fatkeq që gjeti në pyll.

            Konradi, në këtë rast, tregoi anën më të mirë të natyrës së tij: iu paraqit qeveritarit duke marrë përsipër fajin. U tregua i gatshëm të dëmshpërblente dëmet; shiti gjithë pasurinë e tij dhe mbeti i varfër. Prej këtu në jetën e varfër françeskane, hapi ishte i shkurtër. Përmbushjen e kësaj nisme e lehtësoi marrëveshja me të shoqen, Eufrozinën, e cila e la të lirë të shoqin të ndiqte thirrjen e re françeskane, duke u bërë edhe ajo vetë murgeshë klarise.

Por, nën zhgunin e hirtë të bijve të Shën Françeskut rrihte ende zemra e aventurierit. U rinis për rrugë, këtë herë me shkopin e shtegtarit në vend të shpatës dhe nga shenjtërorja në shenjtërore mbërriti në grykën e Mesinës. Mbërriti në ishull dhe shkoi gjithnjë e më shumë në jug mes agrumishteve të fushës së Katanisë e të Sirakuzës, të fshikulluara nga dielli. Bëri një pushim në Avolë, në vendin e quajtur Noto, ku siç duket gjeti një banesë të qëndrueshme, në një qeli afër kishës së Shën Mëhillit. Vetmia zgjati pak, sepse fama e shenjtërisë së tij filloi t’i tërhiqte në qelinë e tij të përshpirtshmit e parë. Kështu shkoi të strehohej në shpellën e Piconëve, jashtë qytetit, «shpella e Shën Kurraut», siç quhet ende sot. Këtu mundi të jetonte dhe të vdiste në vetmi e varfëri, siç e kishte vendosur vetë. Banuesit e Notës deshën ta nderonin këtë «shenjt të ardhur nga kontinenti» dhe ia varrosën trupin në kishën e bukur të Shën Nikollës.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend