Shenjti i ditës: 19 qershor – Shën Gervazi e Protazi, martirë në shekullin II

Written by on June 14, 2017

Shenjti i ditës: 19 Qershor – Shën Gervazi e Protazi, martirë në shekullin II

 

            Në vitin 386 ipeshkvi i Milanos, shën Ambrozi bëri disa gërmime nëntokë përpara bazilikës së shenjtërve Naborit e Feliksit, në zonën e varrezave të Porta Verçelianës. Ipeshkvi i shenjtë, duke i shkruar motrës Marçelës, thotë se ka pasur një parandjenjë. Shën Augustini, që gjendej në ato vite në Milano si orator në shkollën perandorake, e përmend këtë fakt në Rrëfimet e tij dhe flet për një zbulim që pati nga ipeshkvi i shenjtë: aty poshtë ishin pjesët mortore të martirëve Gervazit e Protazit, kujtimi i të cilëve kishte humbur që atëherë. Trupat e dy protomartirëve u zhvendosën mes një turme të përshpirtshme dhe të hareshme në bazilikën që tani mban emrin e shën Ambrozit dhe në të cilën ipeshkvi i shenjtë kishte parapërgatitur varrin e vet, nën altarin e madh. Natyrisht, vendi i nderit iu rezervua dy martirëve, relikët e të cilëve, që prej zhvendosjes, siç referon shën Augustini, kishin bërë një mrekulli të parë, gati si për të garantuar vërtetësinë.

            Që atëherë fama e dy martirëve u përhap përtej dioqezës milaneze, dhe për shkak të mungesës së informacioneve për to, në fund të shekullit V një autor, i mbetur i panjohur, shkroi një Mundim sipas thurjes tradicionale. Gervazi e Protazi, sipas këtij tregimi pak të besueshëm, ishin bijtë binjakë të shën Vitales e Valerias. Pas vdekjes së prindërve, pasi ua shpërndanë pjesën më të madhe të pasurisë të varfërve, u mblodhën për një tërheqje të gjatë shpirtërore në një shtëpizë që u bë shpejt një qendër lutje bashkësie. Të akuzuar si të krishterë, u arrestuan dhe u dërguan t’u flijonin hyjnive të Romës; pasi refuzuan u martirizuan: Protazi u kokëpre, ndërsa Gervazi nuk i mbijetoi frushkullimit.


Current track

Title

Artist