Shenjti i ditës: 19 Prill – Shën Leoni IX, papë (1002 – 1054)

Written by on April 15, 2017

Shenjti i ditës: 19 Prill – Shën Leoni IX, papë  (1002 – 1054)

 

            Mes trembëdhjetë papëve me këtë emër, katër e kanë arritur cakun e kanonizimit solemn. Për shenjtin e sotëm, kronikat e kohës thonë se «qe i detyruar» ta pranonte detyrën e lartë. Alzaciani kushëri i perandorit Korradit i quajtur Saliku e pati ndoshta të lehtë emërimin si ipeshkëv i Toul, por, kur u bë fjalë për postin e papës ngurroi. Pasi i konsideronte forcat e veta të papërshtatshme për detyrën e re, mori me vete një këshilltar të vlefshëm, murgun energjik Hildebrandin, i cili do t’ia zërë vendin në pontifikat me emrin Gregori VII. Punuan bashkë, duke filluar nga reforma e kuries romake dhe duke luftuar simoninë (tregtimin e gjërave që mbahen si të shenjta). Papa Leoni nuk qe i butë me teologët përsa i përket herezisë, por mbajti raporte të mira me Kishën e Lindjes, duke mbajtur një korrespondencë miqësore me patrikun e Kostandinopojës, me shpresën që t’ia shmangte Kishës vuajtjet e skizmës.

            Në veri të Italisë Normanët, që kishin shkuar si shtegtarë u vendosën si pronar duke vënë prita në territoret papnore, duke plaçkitur kisha e kuvende (mes të cilëve edhe abacinë e Montekasinos), derisa papa i butë e humbi durimin dhe u vendos personalisht në krye të një ushtrie, për t’i ripërzënë brenda kufinjëve të Pulias Normanët e pangopur. Përleshja u zhvillua në Çivitela në Kapitanata. Tremijë kalorësit e Robertit i quajtur Guiskardi, të shkathët, të patrembur dhe mizor e detyruan të largohej ushtrinë e papës, dhe kështu atij iu desh të binte dakort me armiqtë. Të cilët, duke u kujtuar se janë edhe ata, në mënyrën e tyre, të krishterë, u gjunjëzuan në këmbët e papës, i cili i bekoi dhe i njohu fitoret e tyre në shkëmbim të lirisë. Papa u kthye në Romë dhe pak mw pas vdiq.


Current track

Title

Artist