Shenjti i ditës: 19 Mars – Shën Jozefi, fati i Virgjërës Mari
Written by Radio Maria on March 17, 2018
Shenjti i ditës: 19 Mars
Shën Jozefi fati i Virgjërës Mari
Për fatin e Marisë Jozefin dimë ato pak gjëra që na i thonë ungjilltarët Mateu e Luka, por kaq mjafton për të përshkruar këtë «njeri të drejtë» të pakrahasueshëm për të cilin mund të themi se qëndron në fronin më të lartë të shenjtërisë dhe përshpirtërisë sonë, pas atij të nënës së Jezusit. I nderuar që në shekujt e parë në Lindje, kulti i tij u përhap në Perëndim vetëm që nga shekulli IX, por me një rritje që nuk ka krahasim me shenjtërit e tjerë. Në vitin 1621 Gregori XV shpalli festën e sotme liturgjike; Piu IX e zgjodhi shën Jozefin pajtor të Kishës universale dhe papët pasardhës e pasuruan me tituj të tjerë, vendosën edhe një përkujtim të dytë, me 1 maj, që lidhet me zanatin e thjeshtë e fisnik të artizanit.
Privilegji për të qenë babai i supozuar i Mesisë përbën titullin më të lartë që i është dhënë një njeriu.
Ngjarja e jashtëzakonshme e Lajmërimit dhe e amësisë hyjnore të Marisë, për të cilën u lajmërua nga engjëlli, pas vendimit të vështirë që të mos hiqte dorë nga Maria, e vendos shën Jozefin në një dritë simpatie njerëzore, për rolin e devotshëm e garant të paprekshmërisë së Virgjërës Mari, një mister i paralajmëruar nga profetët, që qëndron sipër inteligjencës njerëzore.
Jozefi, pasi e zgjidh dilemën e ankthshme, nuk shtron pyetje të tjera. Përmbush rregullat e ligjit: shkon në Betlehem për rregjistrim, i qëndron pranë Marisë në lindje, i mirëpret barinjtë dhe mbretërit Dijetarë me gatishmëri, e çon në vend të sigurt Marinë dhe Fëmijën për ta shpëtuar nga Herodi gjakatar, hyn përsëri në shtëpinë punëtore e të thjeshtë të Nazaretit, duke ndarë gëzime e dhimbje të zakonshme për të gjithë baballarët që duhet ta fitojnë bukën me djersën e ballit. E shohim në kërkim të ankthshëm të Jezusit, të cilin e çoi në tempull kur mbushi dymbëdhjetë vjeç.
Në fund Ungjilli ndahet nga ai me një imazh të pasur me domethënie, që i shtron më shumë se një temë reflektimit tonë: Jezusi, Biri i Hyjit, Mesia i pritur, i bindet atij dhe Marisë, duke u rritur në dije moshë dhe hir.