Shenjti i ditës: 19 Maj – Shën Celestini V, papë (1215 – 1296)

Written by on May 18, 2017

Shenjti i ditës: 19 Maj – Shën Celestini V, papë (1215 – 1296)

 

            Kur e zgjodhën papë, duke e hequr nga vetmia e shkretëtirës së Shën Onufrit, vëlla Pjetri nga Marrone ishte më pak se tetëdhjetë vjeç. U zgjodh kundër çdo parashikimi. Selia e Shenjtë ishte e lirë që prej dy vjetësh për shkak të ndikimit të Karlit II të Napolit, nga dera e anzhuinëve. Ishte shumë i përshpirtshëm, por krejt i papërvojë në punët e shtetit. Mori menjëherë kritika të hapura për anësinë e tij të pavetëdijshme kundrejt shtëpisë së anzhuinëve. Dhe me një gjest të interpretuar në mënyra të ndryshme nga bashkëkohësit e tij (Dantja madje e vendos në veprën e tij ‘Ferri’) ia dorëzoi tiarën (kësulën e papës) pasardhësit më të aftë, Bonifacit VIII. Ky për të shmangur ndonjë sulm të befasishëm nga ana e mbështetësve të papës që dha dorëheqjen, e mbajti atë të mbyllur në një qeli për të jetuar si eremit gjatë dy vjetëve të fundit të jetës së tij. Kështu ia plotësoi një aspiratë të vjetër të tijën.

Pjetri nga Morrone kishte lindur në një fshat të Molizes (Itali), në afërsi të Izernias. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare mori veshjen benediktine në kuvendin e Shën Marias së Faifolit. Pak më pas iu dha leja për të jetuar si eremit në një shpellë të malit Peleno. Pas shugurimit meshtarak vazhdoi të jetonte si eremit malin Morrone, afër Sulmonës, domethënë mbi Maiela. Aty, në vitin 1246, mblodhi rreth vetes një bashkësi eremitësh. Papa Urbani IV e miratoi bashkësinë dhe e lidhi me Rregullin benediktin.

Vëlla Pjetri nga Morrone shkoi në vitin 1274 në Konsilin e Lionit dhe mori miratimin nga papa Gregori X për rregullin e Vëllezërve të Shpirtit Shenjt, të quajtur ndryshe celestinë (qiellorë). Por kur u kthye në Itali dhe pasi vizitoi shtëpitë e ndryshme të Urdhrit të ri, mblodhi kapitullin e përgjithshëm dhe dha dorëheqjen për t’u kthyer në vetminë e eremitit. Ose më mirë, kaloi nga një vend eremit në tjetrin për t’iu larguar admiruesve të përshpirtshëm, të cilët i tërhiqte fama e shenjtërisë së tij. Kjo famë i dha edhe detyrën më të lartë që e ushtroi kundër dëshirës së vet për më shumë se pesë muaj. Papa Klementi V e kanonizoi në vitin 1313. E pranoi dorëheqjen e tij nga pontifikati dhe e shpalli shenjt me emrin Pjetri nga Morrone.


Current track

Title

Artist