Shenjti i ditës: 19 Korrik – Shën Arseni i Madh, vetmitar (354 – 450)

Written by on July 18, 2017

Shenjti i ditës: 19 Korrik – Shën Arseni i Madh, vetmitar (354 – 450)

 

            Rrugët që të çojnë tek Hyji janë të pafundme. Diakonit Arsenit, pas njëmbëdhjetë vite jetë në oborrin perandorak të Kostandinopojës, ku Teodosi e thirri në Romë për t’i besuar edukimin e bijve Arkadit e Onorit, rruga e zgjedhur nuk iu duk ajo e drejta dhe kërkoi ta ndriçonte direkt Hyji. Një zë misterioz iu përgjigj: «Largohu nga njerëzit». Dhe dyzet vjeçari Arseni e ndoqi këshillën në mënyrën më rrënjësore, duke u bashkuar me bashkësinë e vetmitarëve të Skete, në shkretëtirën egjiptiane. Patric romak, nga një familje fisnike senatorësh nuk qe e lehtë që ta pranonin mes murgjve: një personazh si ai, kaq i parë në oborrin perandorak mund të tërhiqte në atë vend heshtje dhe meditimi vizitorë të padëshiruar. Por ata që shkuan ta vizitonin u kthyen të zhgënjyer, pasi murgu i shenjtë u përgjigjej diskutimeve të tyre me ndonjë fjalë njërrokëshe dhe dialogu përfundonte shpejt. Përveç rregullit të ashpër të heshtjes, Arseni qëndronte gjatë natës me orë të tëra në lutje dhe shpesh qerpikët e tij të djegura nga rëra e shkretëtirës lageshin nga të qarat. Nuk ishte nostalgji. Bëhej fjalë për «dhuratën e lotëve» siç quhet nga asketikët. Të qash për fajet personale dhe të tjerëve është lutje. Arseni që i kishte kaluar nëntëdhjetë vite i jetoi pesëmbëdhjetë vitet e fundit larg nga kuvendi i dashur i Skete, i shkelur nga populli libian, Mazicët, dhe iu desh të strehohej në Troe, në ishullin e Kanopo në afërsi të Aleksandrisë së Egjiptit. U kthye në fund në Troe ku vdiq dhe u varros.


Current track

Title

Artist