Shenjti i ditës: 19 Gusht – Shën Gjon Eudes, meshtar, themelues (1601 – 1680)
Written by Radio Maria on August 18, 2017
Shenjti i ditës: 19 Gusht – Shën Gjon Eudes, meshtar, themelues (1601 – 1680)
Vitet 1600 nuk kanë dhënë shumë fryt në letërsi, por më tepër në fushën e shkencës, për lindjen e «shkencës së re» dhe në atë filozofike e fetare. Në fakt viti 1600 është i pasur me shenjtër mendjendritur si Vinçenc De Paoli dhe Gjon Eudes. I lindur në Ri në Francë, Gjon Eudes pasi u shugurua meshtar hyri në Oratorin françeskan të Bérulle. Ishte një famullitar aktiv dhe plot zell. Ishte ai që e promovoi kultin liturgjik të Zemrës së Krishtit. Dhe kur u përhap epidemia e madhe e murtajës, Gjoni iu përkushtua me shumë guxim shërimit të të sëmurëve dhe atyre që i flisnin për një ngjitje të mundshme të sëmundjes u përgjigjej duke u tallur: «Nga kjo lëkurë nuk ka frikë edhe vetë murtaja». Por ata që i qëndronin pranë kishin frikë dhe ai për të mos rrezikuar ngjitjen e sëmundjes natën flinte jashtë shtëpisë, në një mullar kashte.
Ashtu siç parashikohej, Gjoni u sëmur nga murtaja pikërisht kur dukej se sëmundja ishte mundur. Kaloi pa rrezik fazën kritike dhe për pak kohë u ngrit në këmbë, më mirë të themi, në udhëtim nga një famulli në tjetrën për të mbajtur misionet popullore, për të cilat do të bëhej i njohur. Por jo vetëm për to. Në vitin 1641 themeloi Kongregatën femërore të Zojës sonë të Dashurisë dhe Mbrojtjes, një emër i gjatë por domethënës: motrat duhej t’u kushtoheshin ndihmës dhe shërimit njerëzor e fetar të grave që i kishin hyrë rrugës së prostitucionit. Pas dy vitesh Gjoni i dha jetë Kongregatës mashkullore, duke mbledhur një grup meshtarësh nën mësimin e Shoqërisë së Jezusit dhe Marisë (Eudistët) për formimin e klerit shekullar. Shenjti themelues vdiq në Kaen dhe u kanonizua në vitin 1925.