Shenjti i ditës – 19 dhjetor – Shën Urbani V, papë (1309 – 1370)

Written by on December 17, 2016

Shenjti i ditës – 19 dhjetor – Shën  Urbani V, papë (1309 – 1370)

 

Është një prej shtatë papëve të Avinjones. Ai ka meritën se e ka mirëpritur, edhe pse vetëm pjesërisht, apelin e shumë të krishterëve për ta rivendosur selinë papnore në Romë. «Më shumë se në çdo qytet tjetër», i shkroi miku  Françesk Petrarka, «ti je i lidhur me Romën». Urbani V (Gulielm de Grimoard), i lindur në kështjellën e Grizak në Linguadoka nga një familje fisnike, pas studimeve në universitetin e Montpelier dhe të Tolosës, kishte hyrë mes benediktinëve në drejtimin e Shirakut. Në 1352 ishte zgjedhur abat i shën Gjermanit  në Auxerre, në abacinë e shën Viktorit të Marsilias. Të njëjtin vit (1361) mori nga papa i Avinjones detyrën e legatit në Itali. Në Napoli i erdhi lajmi i zgjedhjes së tij si papë, megjithëse nuk ishte as ipeshkëv as kardinal. Kjo e veçantë zbulon konsideratën e madhe që kishte kolegji i shenjtë për të. Pasi u shugurua ipeshkëv në Avinjone, të njëjtën ditë, me 6 nëntor, u shpall solemnisht papë.

E drejtoi Kishën në një moment të vështirë. Pesë vite pas zgjedhjes së tij, me 30 prill 1367, hyri me krejt kurien në një anije të cilën e shoqëronte një numër i madh anijesh. Dhe pas një qëndrimi në Gjenovë dhe në Viterbo, hyri më në fund në Romë me 16 shtator të atij viti, i përshëndetur nga një popullsi në festë. Roma «jehonte nga veprat», shkroi Kolukio Salutati në atë rast. Urbani V shpërvjeli duart në kuptimin e vërtetë të fjalës për të rivendosur rregullin normal në selinë e papës, e shkretuar prej vitesh nga pakujdesia, duke u marrë kryesisht me  rindërtimin shpirtëror të Kishës dhe me bashkimin e të krishterëve, që u duk se u arrit në 1369 me bashkimin e Kishës greke me atë latine. Pastaj, situata të veçanta politike e shtynë papën ta linte sërish Romën dhe të kthehej në Avinjone në 1370. Mes shumë personave që iu përgjëruan për të qëndruar ishte shën Brixhida e cila e mbërriti pranë liqenit të Bolsenës, duke e paralajmëruar se do të kishte vdekur shpejt nëse nuk do të ishte kthyer mbrapsht. Vdiq faktikisht atë vit, në një shtëpi të thjeshtë në Avinjone, në të cilën kishte shkuar me përvujtëri, duke pohuar se para vdekjes edhe një papë paraqitet para gjykimit të Hyjit si një i krishterë i zakonshëm.


Current track

Title

Artist