Shenjti i ditës: 18 tetor – Shën Luka, ungjilltar (shekulli I)

Written by on October 16, 2017

Shenjti i ditës: 18 Tetor – Shën Luka, ungjilltar (shekulli I)

 

Një shkrim i shekullit II, të cilin studimet bashkëkohore e mbajnë historikisht të vërtetë, e përmbledh kështu profilin biografik të ungjilltarit të shenjtë: «Luka një sirian nga Antiokia, me profesion mjek, dishepull i apostujve, më vonë e ndoqi shën Palin deri në dëshmimin e Krishtit me martirizim. I shërbeu Zotit pa asnjë ngurrim, nuk u martua, as nuk pati fëmijë. Vdiq në moshën tetëdhjetë e katër vjeçare në Boeci, plot me Shpirtin Shenjt». Nga Shkrimet e udhëtimeve, d.m.th, nga Veprat e Apostujve, në të cilat Luka flet personalisht, mësojmë të gjitha informacionet të cilat i përkasin atij, duke përjashtuar të dhënat e shkurtra të cilat i gjejmë për të në Letrat e Shën Palit apostull, me të cilin e lidhte një miqësi e vërtetë: «Ju përshëndet Luka, mjeku i dashur», lexojmë në letrën Kolosianëve. Profesioni i mjekut nënkupton një kulturë të konsiderueshme gjë të cilën e gjejmë në shkrimet e tij në të cilat na paraqitet si njeri i ngritur me shenja arti dhe dituri letrare. Me shën Palin bëri udhëtimin e dytë misionar nga Troada deri në Filipe rreth vitit 50. Në Filipe u ndal disa vite për të përforcuar punën e Apostullit, me të cilin u nis për Jerusalem. Përsëri e shoqëroi Palin në udhëtim dhe sëbashku me të e ndau burgun në Romë.

Të krishterët e lindjes e konsiderojnë «piktor dhe mjek» i cili sipas tyre bëri piktura të shumta, të cilat na paraqesin Virgjërën Mari. Në Ungjillin e tij, të shkruar greqisht me gjuhë të rrjedhshme e të pastër, Luka na paraqet biografinë e Virgjërës Mari dhe na flet për fëmijërinë e Jezusit. Ai na i zbulon sekretet e Lajmërimit, të Vizitës Elizabetës dhe të Lindjes, duke na bërë të kuptojmë se personalisht e ka njohur Virgjërën Mari, deri në atë pikë sa që disa sekrete mbahen se ia tregoi vetë Maria siç është p.sh. himni Magnificat. Vetë Luka pohon se ka bërë hulumtime dhe ka kërkuar informacione për faktet që i përkasin jetës së Jezusit tek ata që ishin dëshmitarë të tij. Vetëm Maria pati mundësi të ishte dëshmitare e Lajmërimit dhe e fakteve të cilat erdhën prapa. Luka njihte Ungjillin e Mateut dhe të Markut, kur filloi ta shkruante të vetin, përpara vitit 70. Ai gjeti se në Ungjillin e Mateut mungonte një farë renditje në vazhdimësinë e fakteve, ndërsa Ungjillin e dytë e konsideronte tepër të përmbledhur. Si studioz i vyeshëm Luka, pasi që dokumentoi në mënyrë të përpiktë lajmet të cilat i përkisnin Jezusit «që nga fillimi», dëshiron t’i tregojë njërin pas tjetrit, në mënyrë që faktet dhe mësimet të shkonin së bashku siç ndodhën në realitet. Për një ritëm të tillë tregues dha prova edhe në Veprat e Apostujve. Tri qytete mburren se ia ruajnë relikët: Kostandinopoja, Padova dhe Venecia.


Current track

Title

Artist