Shenjti i ditës: 18 korrik – Shën Arnolfi, ipeshkëv i Metzit (582 – 640)
Written by Radio Maria on July 17, 2017
Shenjti i ditës: 18 Korrik – Shën Arnolfi, ipeshkëv i Metzit (582 – 640 )
Ngjarja njerëzore e këtij shenjti është për shumë aspekte shembullore dhe interesante. I lindur nga një familje fisnike, i përgatitur që nga fëmijëria për një karrierë të shpejtë në administrimin publik, pati një dëshirë të vetme të madhe: të shkonte tek miku Romariku në vetminë e Habend. Dhe megjithatë pranoi të martohej me një grua të fisnikërisë së lartë, Dadën, grua e denjë për një burrë të shenjtë, që i dha dy fëmijë, Ansegisin dhe Klodolfin. I parëlinduri do të jetë katragjyshi i Karlit të Madh, mbretit të madh të Frankëve që do të bashkojë Evropën nën skeptrin e tij, pas shpërbërjes së perandorisë romake. Klodolfi do ta pasojë të atin në selinë ipeshkvore të Metzit. Në fakt megjithëse shekullar, Arnolfi u zgjodh në 614 ipeshkëv i Metzit. Pranoi pa qef, pasi e bindi Dadën e mirë të mbyllej në kuvend. Arnolfi u tregua në lartësi të detyrës së re, megjithëse e ruajti detyrën e vjetër, jo më pak impenjative, si këshilltar i mbretit dhe mësues privat i princit Dagobertit, trashëgimtar i fronit.
Qe pikërisht falë ardhjes në fron të mbretit të ri Dagobertit, që Arnolfi arriti në 627 t’ia kalonte baritoren të birit Klodolfit dhe të vishte më në fund zhgunin e përvujtë të vetmitarit në kuvendin e Habend (Remiremont), për të realizuar dëshirën pafashitur për vetmi. Megjithatë nuk ishte një shpengim egoistik nga detyrat e bariut të mirë të shpirtërave. Në fakt nuk e braktisi aktivitetin baritor dhe pas mohimit e gjejmë ipeshkvin e zellshëm në Koncilin e Reims të 630. Përreth shenjtit, varri i të cilit në bazilikën e Metzit që mban emrin e tij u bë menjëherë qendër shtegtimesh të përshpirtshme, lulëzuan anektoda të urta mësimdhënëse si vërtetim i popullaritetit që gëzoi në jetë e në vdekje. Ruhet akoma në Metz (ku shenjti festohet me 19 gusht) unaza baritore që Arnolfi e kishte hedhur në Mosellë duke ia kërkuar Hyjit t’ia kthejë si shenjë e faljes së tij. Pak ditë më pas e gjeti në barkun e peshkut që iu shërbye në tavolinë. Sidoqoftë ajo unazë vazhdon akoma sot të ushqejë përshpirtërinë, kur vihet vula në pllakëzat e lyera me dyll të shtegtarëve.