Shenjti i ditës: 18 Gusht – Shën Helena, perandoreshë (250 – 330)

Written by on August 17, 2017

Shenjti i ditës: 18 Gusht – Shën Helena, perandoreshë (250 – 330)

 

Tribuni ushtarak Kostanc Klori, ndoshta gjatë shërbimit në Azi, u bashkua në martesë me një bukuroshe të shtresës së ulët (vegjëlisë), Helenën, të cilën e takoi në Bitini. Por iu desh të ndahej shpejt prej saj, megjithë lindjen e djalit Konstantinit, sepse ligji romak e ndalonte martesën mes një aristokrati romak dhe një gruaje me origjinë të shtresës së ulët që nuk kishte nënshtetësinë romake. Ndarja u bë plotësisht kur Kostanci mori detyrën e lartë perandorake, me titullin e Augustit. Ai mori me vete Konstandinin në Britannia. Për ta larguar Helenën nga hija, mendoi i biri, i shpallur perandor nga legjionarët e tij në vitin 306 në York. Menjëherë Helena u ngrit në shkallën e Nobilissima dhe që nga ai moment mundi të jetonte pranë birit të fuqishëm, duke e shoqëruar drejt Romës.

Pas fitores së Konstandinit ndaj Masencit, Helenës iu dha titulli më i lartë që mund t’i jepet një gruaje, Augusta. Nënë e bir ia kushtuan fitoren Krishtit në urën Milvio dhe e para që kërkoi pagëzimin ishte Helena, e cila që atë ditë u bë ndërmjetësja më e fuqishme mes të birit totius orbis imperator, zotëri i plotfuqishëm i botës, dhe të krishterëve, të shënuar për dy shekuj nga persekutime të vazhdueshme. Konstandini e kënaqi nënën e përshpirtshme, duke i projektuar ai vetë bazilikat e para të mëdha dhe duke favorizuar ungjillëzimin e perandorisë së Romës edhe pse mbeti një katekumen i thjeshtë i Kishës (do ta marrë pagëzimin pak para vdekjes). Pas Ediktit të Milanos, që i jepte të krishterëve lirinë e shumëdëshiruar të kultit, Helena e kaloi jetën mes Romës e Lindjes, e zënë me ndërtime kishash, veçanërisht në Tokën e Shenjtë, në vendet ku jetoi e vdiq Shëlbuesi. Emri i saj në fakt lidhet me gjetjen e Kryqit, që ndodhi para syve të “shumë të përshpirtshmes Augusta”, në një pus të gërmuar në shkëmb, pranë Golgotës. Gjetja krijoi emocione të mëdha në gjithë botën e krishterë. Helena gjeti edhe shpellën e Lindjes dhe aty ndërtoi bazilikën e njohur. Por nuk ishte e vetmja. Me gjithë moshën e madhe, kërkoi të ndjekë personalisht ndërtimin e kishave në vendet e shenjtëruara nga prania e Krishtit, duke bashkëpunuar në mënyrë aktive me ipeshkvin shën Makariun.


Current track

Title

Artist