Shenjti i ditës: 17 Tetor – Shën Pali i Kryqit, meshtar, themelues (1694 – 1775)
Written by Radio Maria on October 18, 2017
Shenjti i ditës: 17 Tetor – Shën Pali i Kryqit, meshtar, themelues (1694 – 1775)
Nëntëmbëdhjetë vjeçari Françesk Danei, i lindur në Ovada në Piemonte pasi kishte dëgjuar një predikim mbi Mundimin e Krishtit, i flaktë si kryqtarët e parë, deshi të shkonte si vullnetar në ushtrinë veneciane e cila donte t’i shpallte luftë turqve për të liruar Varrin e shenjtë. E kuptoi shpejt se kryqëzata kishte më shumë qëllime materiale e konkrete dhe atëherë zgjodhi rrugën e mundimit dhe të pendesave të ashpra për të imituar Krishtin e vuajtur. Kalonte orë të gjata në lutje e meditim. Më pas ipeshkvi i Aleksandrisë së Egjiptit e lejoi të vishte veshjen e pendestarit me shenjat e Mundimit të Krishtit: një zemër të shënuar nga kryqi dhe tri gozhda me monagramin e Krishtit. Bashkë me vëllain shkoi të jetonte si vetmitar në malin Argentario. Të dielën zbrisnin të dy dhe shkonin në fshatrat afër për të predikuar Mundimin e Krishtit. Për t’i bërë më të efektshme fjalët e tyre nuk ngurronin që të frushkulloheshin në publik, duke i nxitur edhe zemrat më të ngurtësuara për të reflektuar e shpesh edhe në kthim.
Misionet e tyre dalloheshin nga ngritja e një kryqi druri në vendin ku dy vëllezërit mbanin predikimet, zakonisht në një shesh të vendit. Papa Benedikti XIII pasi i kishte shuguruar meshtar dy vëllezërit në Bazilikën e shën Pjetrit, u lejoi atyre ta bënin Kongregatë shoqatën e tyre, me emër pak të gjatë, «Kongregata e Klerikëve të zbathur të Kryqit të shenjtë të Mundimit të Zotit tonë Jezu Krishtit», të thjeshtësuar menjëherë nga njerëzit me emrin Mundimtarët, siç quhen tani. Rregulla e ashpër e vjetër u desh të zbutej që të merrte aprovimin përfundimtar papnor. Kapitulli i parë i përgjithshëm u mbajt në vitin 1747. Kongregata e re u përhap shpejt në të gjitha krahinat e Italisë. Pali vdiq në kuvendin romak ngjitur me Kishën e Shenjtërve Gjonit e Palit mbi Çelio; është kanonizuar në vitin 1867.