Shenjti i ditës: 17 Qershor – Shën Besarioni, vetmitar (+ 400)
Written by Radio Maria on June 14, 2017
Shën Besarioni, vetmitar (+ 400)
Ky At i shkretëtirës egjiptiane, një shenjt i njohur mes Grekëve që e përkujtojnë me 6 qershor, bën pjesë në aradhën e zgjedhur të vetmitarëve të rritur në shkollën e shën Antonit dhe shën Makariut. I lindur në Egjipt nga prindër të krishterë, Besarioni ofron imazhin e të krishterit që ndjek plotësisht këshillën ungjillore për të dhuruar çdo gjë para se të ndiqte Krishtin. Braktis shtëpinë, vesh vetëm një pelerinë prej të cilës lirohet gati menjëherë për të mbështjellë një të vdekur para se ta varroste. Merr me vete vetëm një kopje të Ungjillit, por edhe këtë e shet për t’ia dhënë fitimin një të varfëri. Murgjve, të çuditur nga një shkëputje e tillë u përgjigjet: «Kam dhuruar librin në të cilin lexohet, dhuro gjithçka!». Ndryshe nga vetmitarët e tjerë të përhershëm Besarioni nuk pati asnjë banesë fikse. Shtegtonte nga vendi në vend nëpër shkretëtirën e gjërë, duke u ushqyer me atë që gjente, duke lypur bukë në fshatrat e humbura mes oazeve, që më pas e ndante me të varfër të tjerë.