Shenjti i ditës: 17 Mars – Shën Patriku, ipeshkëv (390 – 461)
Written by Radio Maria on March 15, 2017
Shenjti i ditës: 17 Mars – Shën Patriku, ipeshkëv (390 – 461)
Patriku lindi në një lokalitet të panjohur të Britanisë romake. Si gjithë të rinjtë, preferonte më shumë lojën se studimin, por në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare jeta e tij ndyshoi komplet drejtim: nga një djalosh i pasur u kthye në skllav. U kap nga piratët irlandez dhe u çua në ishullin i cili akoma nuk ishte kthyer në krishtërim. Pronari që e bleu në tregun e skllavëve e dërgoi të kulloste delet, Patriku qëndroi aty për gjashtë vite. Pati kohë të mjaftueshme për të medituar, mbi të gjitha për ikjen, të cilën një ditë të bukur arriti ta realizonte (pasi hipi në një anije tregtarësh, mbërriti në brigjet e Galisë). Tashmë Irlanda pagane ishte në kulmin e medimeve të saj, Patriku mendoi të kthehej përsëri, por tani si misionar. Studioi nën drejtimin e shën Gjermanit. Pasi u bë meshtar, shkoi tek Paladi ipeshkëv i cili ishte i dërguar nga papa Celestini I në Irlandë për të organizuar bashkësitë e para të krishtera.
Kur vdiq Paladi, Patriku zuri vendin e tij si ipeshkëv. Kishte tashmë përvojë me jetën irlandeze dhe me numrin e madh të tribuve që formonin mbretëri të vogla autonome. Ai mendonte se ishte e nevojshme t’u kushtohej së pari kthimit të mbretërve: në këtë mënyrë populli do të ndiqte shembullin. Arriti të fitonte simpatinë e tyre me dhurata të vogla, e mbi të gjitha me një predikim të zjarrtë. Ndërkohë Patriku formonte në pika të ndryshme të Irlandës kuvendet e para, të paracaktuar të fermentojnë një numër të madh shenjtërish që do ta mbushin kalendarin e krishterë, duke i dhënë Irlandës «barbare» titullin e merituar «ishulli i shenjtërve».
Për organizimin e Kishave të tij, Patriku ndoqi modelin e shën Augustinit duke vendosur nëpër katedrale kapitujt e priftërinjëve në bashkësi të ndryshme me ipeshkvin. Në fillim kleri rekrutohej në Britaninë e afërt dhe në Gali, por shpejt Patriku i pajisi kishat e ndryshme me meshtarë vendas. Në vitin 439 nga kontinenti mbërritën tre ipeshkvinj të tjerë, Auzili, Isernini dhe Sekondini, kështu Patriku mundi të shkonte në Veri për të përfunduar ungjillëzimin e ishullit. Vetëm më vonë e fiksoi selinë e vet në Armagh. Data e vdekjes së tij, viti 461, është e pasigurt. Kulti i tij është i një date të vjetër, që në shekullin e VII kremtohej në të gjithë Irlandën.