Shenjti i ditës: 17 Maj – Shën Pashku Bajlon, rregulltar françeskan (1550 – 1592)

Written by on May 16, 2017

Shenjti i ditës: 17 Maj – Shën Pashku Bajlon, rregulltar françeskan (1550 – 1592)

 

Shën Pashku Bajlon u lind në Torre Hermosa të mbretërisë së Aragonës. Prindërit e tij ishin të varfër. U dërgua për punë që në moshë të re. Fillimisht kulloste dhentë dhe pastaj punoi si argat i një mbarështuesi të pasur kafshësh, Martin Garsias. Ai, duke e admiruar sjelljen e të riut, i propozoi për ta birësuar e mendonte ta bënte trashëgimtar të pasurisë së vet.

Por, Pashku kishte projekte krejt të tjera. Në vetminë e gjatë të kullotave, ai lutej e meditonte. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, trokiti në kuvendin e Shën Marisë së françeskanëve alkantarinë, por u refuzua në mënyrë të pashpjegueshme. Durimi i tij u shpërblye në fund dhe më 2 shkurt 1564 u pranua si rishtar. Duke mos e mbajtur veten të denjë për t’u bërë meshtar, ai u pranua si vëlla i thjeshtë laik në vitin pas kushteve të përjetshme. Kreu për vite me radhë detyrën e portierit. Ishte analfabet dhe i favorizuar nga dhurata e dijes, aq sa shpesh i kërkonin këshilla edhe njerëz të rëndësishëm.

Në vitin 1567, eprori provincial e dërgoi në Paris për një mision delikat. Atëkohë ishte e rrezikshme që një frat të kalonte nëpër Francë gjatë valës së diskutimeve të kalvinistëve. Udhëtimi qe një “rrugë e dhimbshme” për Pashkun. Ai rrezikoi të dorëzohej nën gjuajtjen e gurëve të kundërshtarëve në qytetin Orlean, por arriti ta çonte deri në fund misionin e vet, i cili qe i frytshëm edhe në planin shpirtëror. Frati i përvuajtur, që e meritoi titullin “teolog i Eukaristisë”, nuk humbi rast për ta përhapur dashurinë ndaj Eukaristisë. Kjo ishte edhe tema e parapëlqyer e meditimeve dhe shkrimeve të tij. Vdiq në kuvendin e Vila Realit, afër Valencias. Mrekullitë e shumta që ndodhën përmes tij në jetë dhe përmes ndërhyrjes së tij pas vdekjes ia përhapën shpejt famën në të gjithë botën e krishterë. U kanonizua në vitin 1690. Ndërsa papa Leoni XIII e shpalli mbrojtës të kongreseve eukaristike në vitin 1897.


Current track

Title

Artist