Shenjti i ditës: 17 Gusht – Shën Kiara e Montefalkos, rregulltare (1268 – 1308)
Written by Radio Maria on August 16, 2017
Shenjti i ditës: 17 Gusht – Shën Kiara e Montefalkos, rregulltare (1268 – 1308)
Kjo shenjtëreshë, e shpallur e shenjtë nga njerëzit në ditën e vdekjes, që ndodhi në kuvendin e Montefalkos në provincën e Perugjas, përkujtohet dy herë në kalendar, sot dhe me 30 tetor kur kremtohet festa e Impressio Crucifixi in corde sanctae Clarae. Për përshpirtshmërinë e saj të flaktë ndaj Mundimit të Krishtit, tregojnë biografët e saj, pas vdekjes u panë të shënuara në zemrën e saj simbolet e mundimit: një kryq, kamxhiku, kurora e ferrave, gozhdat dhe heshta që përshkon kraharorin e të Kryqëzuarit. Që në moshën gjashtë vjeçare, Kiara vishte grathore në trupin e zhveshur duke iu nënshtruar pendesave të mëdha. Pastaj ndoqi shembullin e motrës më të madhe, Gjovanës, dhe shkoi me të në kuvendin e Shën Damianit, të cilin i ati e ndërtoi për t’i ndihmuar në entuziasmin rinor në zbatimin e ashpër të këshillave ungjillore.
Ky vend i vetmuar shumë shpejt u bë i vogël, sepse shumë vajza të tjera kërkuan të bashkoheshin me to, duke i detyruar dy motrat që të ndërtonin një kuvend të vërtetë. Ndërtimi eci ngadalë për mungesë parash dhe Kiara në tetë vite pune nuk ngurroi të dilte rrugëve për të kërkuar lëmoshë. Më në fund, pasi kuvendi u ndërtua, bashkësia e re mori miratimin e ipeshkëvit, i cili u dha murgeshave Rregullën e Shën Augustinit dhe një emër që është edhe sot: Kuvendi i Kryqit, në të cilin Gjovana ishte abatia e parë. Pas vdekjes vendin e saj e mori e motra Kiara, e cila e drejtoi me ëmbëlsi bashkësinë, më shumë me shembullin e një jete të shenjtë flijimi dhe përshpirtërie ndaj Krishtit se sa me fjalë. Nga muret e kuvendit depërtoi fama e shenjtërisë së Kiarës, dhe siç thuhet, në vdekjen e saj vendasit paralajmëruan me një përshpirtëri të menjëhershme kanonizimin e saj që ndodhi në vitin 1881.