Shenjti i ditës: 17 dhjetor – Shën Olimpia, diakoneshë (+408)

Written by on December 14, 2016

Shenjti i ditës: 17 dhjetor – Shën  Olimpia, diakoneshë (+408)

 

             Historia njerëzore e kësaj shenjtëreshe, e cila i përkiste një familje fisnike të Kostandinopojës ku kishte lindur mes viteve 361 dhe 368, lidhet me atë të ipeshkvit të shenjtë Gjon Gojartit, të dy të mërguar, të persekutuar për akuza të padrejta. Olimpia në 384 ishte martuar me Nebridin, prefekti i qytetit, por njëzet muaj më pas mbeti e vejë. Perandori Teodosi mendoi mirë t’i gjente një burrë të ri, një kushëririn e tij spanjoll, të cilin Olimpia e refuzoi: «Nëse Mbreti im», tha gruaja e re, «do të kishte dashur që unë të jetoj me një burrë, nuk do të ma kishte marrë të parin». Nga inati perandori ia konfiskoi pasuritë dhe ajo jetoi në varfëri derisa vetë Teodosi ia ktheu pasuritë e konfiskuara, të cilat ajo i përdori për vepra bamirësie, duke ndërtuar edhe një hotel për klerikët që kalonin. Ipeshkvi Netari, duke i qenë mirënjohës, i dha urdhërin e diakonatit.

            Filloi kështu një pjesmarrje e saj aktive në jetën e Kishës, veçanërisht nga 398 kur Gjon Gojarti u zgjodh patrik i Kostandinopojës. Ipeshkvi i zgjuar dhe i shenjtë, porsa mori selinë, vërejti rrëmujën që mbizotëronte në Kishën kostaninopoliane dhe ndërmori me kurajo reformat më urgjente, i ndihmuar në këtë veprimtari nga diakonesha Olimpia. Mes tyre kishte lindur një miqësi e shenjtë. Gruaja kujdesej për shëndetin e ipeshkvit aktiv, kujdesej për ushqimin dhe veshjen, duke mos u shqetësuar për thashethemet. Pastaj në 404 Gjon Gojarti u detyrua të merrte rrugën e mërgimit, në Kukuza, mes maleve të Armenisë. Por pikërisht ditën e nisjes së tij një zjarr e shkatërroi kishën dhe ndërtesat pranë. Për zjarrin u akuzuan miqtë e ipeshkvit, dhe veçanërisht Olimpia e cila u dënua me një gjobë të rëndë dhe më mërgim në Ciziko. Është e mundur që diakonesha, e neveritur nga akuzat e gënjeshtërta, ka shkuar vullnetarisht. Nga Ciziku Olimpia mbajti kontakte me letra me ipeshkvin e mërguar. Kanë mbetur vetëm shtatëmbëdhjetë letrat e Gjon Gojartit drejtuar Olimpias. Prej tyre dallohet miqësia e madhe dhe dëshira e përbashkët për t’u ngritur lart fatkeqësive njerëzore për të gjetur qetësinë e shpirtit, pa lënë pas dore problemet e vogla të zakonshme për të gjithë, lidhur me shëndetin, miqtë, takimet. Olimpia u çua sërish para gjykatës dhe u detyrua të shkonte në Nikomedi, ku vdiq. Kisha e Lindjes e përkujton në tri data të ndryshme, me 24, 25 dhe 29 korrik.


Current track

Title

Artist