Shenjti i ditës: 16 Tetor – Shën Margerita Maria Alakok, rregulltare (1647 – 1690)
Written by Radio Maria on October 15, 2017
Shenjti i ditës: 16 Tetor – Shën Margerita Maria Alakok, rregulltare (1647 – 1690)
E pesta ndër shtatë fëmijët e një gjykatësi noter të Borgonjës, Margerita, e mbetur e jetime nga i ati në moshën dymbëdhjetë vjeçare, që të mund të ndiqte thirrjen e vet në jetën rregulltare iu desh të fitonte kundërshtimin e së ëmës, e cila dëshironte ta fejonte me një djalë të mirë. U mirëprit në kuvendin e Vizitës së Parey – le – Monial në moshën njëzet e katër vjeçare. Në festën e shën Gjonit ungjilltar të vitit 1673, novicia Margerita Maria, e përqëndruar në adhurim para të Shenjtërueshmit Sakrament, pati të parin ndër vizionet e veçanta të Jezusit, që do të përsëriteshin më pas çdo të premte të parë të muajit. Dy vite më pas, Jezusi iu shfaq me krahërorin e çarë dhe duke i treguar me dorë zemrën e rrethuar me dritë i tha: «Ja kjo Zemër që aq shumë i ka dashur njerëzit sa që nuk ka kursyer asgjë, derisa u tret dhe u konsumua e gjitha për t’u treguar atyre dashurinë e saj. Dhe si shpërblim nuk marr tjetër nga pjesa më e madhe veçse mosmirnjohje». Vizionet e jashtëzakonshme i shkaktojnë motër Margerita Marisë vuajtje e moskuptime. Jezusi vetë ia tregoi atërherë drejtuesin shpirtëror në personin e meshtarit të shenjtë jezuit Klaudio de la Colombière i cili e mirëpriti ftesën e Jezusit për të bërë çmos për themelimin e festës së Zemrës së Shenjtë, kulti i së cilës, megjithë kundërshtimin e egër të rretheve janseniste, u përhap shpejt në të gjithë Kishën. Motër Margerita Maria u shua ëmbëlsisht në moshën dyzet e tre vjeçare. Është kanonizuar në vitin 1920.