Shenjti i ditës – 16 Shtator: Shën Korneli, papë e martir (+253) & Shën Çipriani, ipeshkëv e martir (200 – 258)
Written by Radio Maria on September 15, 2017
Shenjti i ditës – 16 Shtator: Shën Korneli, papë e martir (+253) & Shën Çipriani, ipeshkëv e martir (200 – 258)
Persekutimi i dhunshëm i antikrishterë i Decios, që i kushtoi jetën mijëra të krishterëve, ngriti në Kishë çështjen e të ashtëquajturve libellatiçi, d.m.th të atyre të krishterëve që për t’i shpëtuar dënimit gjenin nën dorë libellusin, d.m.th çertifikatën që i deklaronte qytetarë të mirë e të ndershëm sepse i kishin bërë nderim statujës së një idhulli me ndonjë lajkë. Kush e kishte mohuar hapur Krishtin shpallej lapsus, d.m.th i rënë. Papa i ri Korneli iu përmbajt një linje të moderuar, duke i pranuar në kungim libellaticët dhe duke u dhënë faljen lapsëve të cilët mund të merrnin zgjidhjen në pikë të vdekjes. Por një meshtar i papajtueshëm romak, Novaciani, ia kundërshtoi papës e kështu Kishës të drejtën për të falur qoftë libellaticët ashtu edhe lapsusat dhe pasi e deklaroi Kornelin të rënë, u vetëzgjodh papë.
Ipeshkvi i Kartagjenës, Çipriani u radhit me papën e ligjshëm; kundër antipapës Novacianit shkroi traktatin e tij më të rëndësishëm, De catholicae Ecclesiae unitate dhe letra të shumta që e radhisin mes shkrimtarëve të mëdhenj të literaturës së krishterë latine
Taskio Çeçiliano Çipriani, i lindur në Afrikën prokonsullore, ishte kthyer në krishtërim pas një karriere të shkëlqyer si docent retorike dhe qytetar i dalluar në qytetin e mrekullueshëm të Kartagjenës, ku u zgjodh ipeshkëv në vitin 248. Zgjedhja e tij ipeshkvore përkoi me ediktin e ri perandorak kundër të krishterëve. Gjatë persekutimit Çipriani zgjodhi rrugën e klandestinitetit; kështu, pasi kaloi stuhia, hyri përsëri në Kartagjenë dhe u dha faljen libellatëcve, një linjë e moderuar që pati aprovimin e papës Kornelit. Me rinisjen e persekutimit nën perandorin Valerianin, Korneli u mërgua në Centumcellae, Civitavecchia e sotme, ku vdiq nga mundimet që pësoi, dhe u varros në katakombet e Kallistos. Edhe ipeshkvi Çipriani u mërgua në Kapo Bon, por kur iu komunikua gjykimi me vdekje, u kthye në Kartagjenë për të dhënë dëshminë e tij ndaj Krishtit përpara grigjës së vet. Të krishterët e Kartagjenës kishin vënë në gurin e kokprerjes disa pece për t’i ruajtur më pas, të ngjyera me gjak, si relikë të ipeshkvit të madh afrikan.