Shenjti i ditës – 16 korrik: E lumja Virgjëra Mari e Malit Karmel

Written by on July 15, 2017

Shenjti i ditës – 16 korrik: E lumja Virgjëra Mari e Malit Karmel (Zoja e Karmës)

 

            Urdhëri më i vjetër rregulltar, origjina e të cilit nuk është e datueshme, nuk ka një themelues dhe e merr profetin Eli, si model. Është e mundshme që ky boshllek ka favorizuar përshpirtërinë ndaj Marisë, që ia ka dhënë emrin e saj këtij Urdhëri dhe është qendra e mëshirës. Ja çfarë lexohet në Librin e institucioneve të murgjve të parë të Karmelit: «Në kujtim të vizionit që i tregoi profetit ardhjen e kësaj Virgjëre nën pamjen e një reje që ngjitej nga toka drejt Karmelit, murgjit e lartpërmendur, në vitin nëntëdhjetë e tre të Mishërimit të Birit të Hyjit shkatërruan shtëpinë e tyre të vjetër dhe ndërtuan në nder të kësaj Virgjëre të parë të kushtuar Hyjit një kapelë në Malin Karmel, atje ku Elia në lutje pa renë e vogël».

            Në 1187 vetmitarët e parë «karmelitan» latinë na e kanë treguar praninë e tyre me një kapelë kushtuar Virgjërës. Të përzënë nga saracenët në shekullin XIII, disa murgj u shpërndanë në krahina të ndryshme dhe themeluan Karmele të rinj (në Qipro, në Sicili, në Francë dhe në Angli), megjithëse duke hasur pengesa dhe qëndresa nga ana e hierarkisë kishtare. Virgjëra e kishte paralajmëruar papën Onorin III që t’i mirëpriste mirë murgjit e saj: «Nuk duhet t’i vihen pengesa urdhërit tim». Për të fituar vështirësitë e fundit ndërhyri përsëri Virgjëra: «Vëllezërit e lusnin përvujtërisht t’i lironte nga këto rreziqe djallzore, Atë që i kishte çuar në këto vende. Njërit prej tyre, Simon Stok, ndërsa lutej kështu, Nëna e Hyjit iu shfaq e shoqëruar nga një turmë engjëjsh dhe duke mbajtur në dorë zhgunin e Urdhërit i tha: “Ja privilegji që ta dhuroj ty dhe të gjithë bijve të Karmelit. Kushdo të vishet me këtë veshje do të shpëtojë”». Eprori karmelitan Beaudoin Lessius referon për një vizion të Gjonit XXII dhe të një letre papnore – që shumë nuk e konsideruan origjinale – e cila flet për privilegjin « e së shtunës» me anë të të cilit njeriu lirohej nga Purgatori të shtunën e parë pas vdekjes. Dhe Piu XII, që lëvdohej për pjesmarrjen e tij në Vëllazërinë e Karmelit, në letrën e 11 shkurtit 1959, theksonte «se duhet vënë në radhë të parë, mes përshpirtërive mariane, petku të cilin kanë mundësi ta mbajnë të gjithë».


Current track

Title

Artist