Shenjti i ditës – 15 shtator: Zoja e Dhimbshme

Written by on September 14, 2017

Shenjti i ditës – 15 shtator: Zoja e Dhimbshme

 

Kalendari i ri romak në përputhje me Kushtetutën mbi Kishën e koncilit të Vatikanit II, e ka vënë në dukje më të madhe rolin e Marisë në shëlbim për varsinë e saj të veçantë nga i Biri. Edhe festa e sotme ndjek këtë udhëzim të koncilit, duke na propozuar për reflektim momentin që përmbledh dhimbjen e papërshkueshme të një mundimi njerëzor e shpirtëror të vetëm: përfundimi i sakrificës së Krishtit, vdekja e të cilit në Kryq, është pika kulmore e shpëtimit dhe e «bashkshëlbimit» të Marisë, pasi si nënë ajo jeton në shpirtin e saj vuajtjet e të Birit. Teologjia dhe mëshira e krishterë në mesjetë e kanë vënë në dukje Mundimin e Krishtit dhe dhimbjen e Marisë, Njeriu i dhimbjeve dhe e Dhimbshmja. Stabat Mater e Jakopone nga Todi është shembulli më i njohur. Lirika e fortë e asaj të Qare i ka përmalluar brezat në ushtrimin e përshpirtshëm të Udhës së Kryqit.

Përshpirtëria ndaj Zojës së Dhimbshme ka caktuar simbolikisht shtatë dhimbje të Bashkëshëlbueses të cilat paraqiten nga po aq ngjarje që tregohen nga Ungjilli: profecia e Simonit të vjetër («një shpatë do ta shporojë shpirtin»), ikja në Egjipt, humbja e Jezusit në moshën dymbëdhjetë vjeçare gjatë shtegtimit në Jerusalem, udhëtimi i Jezusit drejt Golgotës, kryqëzimi, ulja e Kryqit dhe varrimi. Urdhëri i Shërbëtorëve të Marisë, që fillimisht kishte emrin «Shoqëria e Marisë së Dhimbshme», në vitin 1667 arriti aprovimin e kremtimit liturgjik të «Shtatë dhimbjeve të Virgjërës» që Piu VII i futi në Kalendarin romak duke e vendosur në të dielën e tretë të shtatorit. Shën Piu X ka fiksuar datën 15 shtator dhe kalendari i ri liturgjik, megjithëse e ka reduktuar kremtimin në kujtim të thjeshtë, e ka ruajtur me emrin më të përshtatshëm «Zoja e Dhimbshme», duke vënë theksin në bashkpjesmarrjen e nënës në dhimbjen e Birit të kryqëzuar dhe në dashurinë e ndërsjelltë flijuese dhe të dhimbshme të Jezusit e Marisë.

 


Current track

Title

Artist