Shenjti i ditës: 14 qershor – Shën Elizeu, profet (+ 790 para. K )

Written by on June 13, 2017

Shenjti i ditës: 14  Qershor – Shën Elizeu, profet (+ 790  para. K )

            Me një gjest simbolik, Elia e shuguroi Elizeun  profet dhe pasardhës të tij: «Elia shkoi në kërkim të Elizeut dhe e gjeti duke lëvruar …. E hodhi leshnikun e vet mbi të. Atëherë Elizeu pasi i la qetë, vrapoi pas Elisë». Për gjashtë vite e ndoqi si dishepull i dashur duke trashëguar pas vdekjes virtytin karizmatik. Para ndarjes misterioze, kur Elia do të zhduket mbi një karrocë zjarri, mësuesi e pyeti dishepullin: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje?» Elizeu nuk kënaqej me «dy të tretat», e pjesës që i takonin të parëlindurit: «Të lutem të vijnë mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd», i përgjigji.

Vazhduesi i veprës së Elisë ishte një pronar i pasur, me prejardhje nga Abelmuela; emri i tij ka kuptimin e një urimi: elisà do të thotë «Hyji shpëton», i përshtatur mirë me natyrën e misionit të tij, që u zhvillua nën katër mbretërit e Izraelit, Iorami, Ieu, Ioahazi dhe Ioasi, nga viti 853 deri në vitin 783 para. Kr. Elizeu shoqëron ushtrinë e Ioramit duke e ikurajuar mbretin në një moment të vështirë: siguron shiun pas vapës dhe fitoren; zbulon pritën e mbretit të Damaskut. Pastaj pasojnë shpëtimet e ndryshme të mbretit dhe të ushtrisë së tij dhe shumfishohen mrekullitë e bëra nga më mrekullibërësi i profetëve: me leshnikun e Elisë ndan ujrat e Jordanit, shton vajin e një vejushe të mjerë, shumëzon njëzet bukë për të ngopur njëqind njerëz; e shëron nga gërbuala Naamanin, prijësin trim të mbretit të Damaskut. Veprimi i tij çudibërës vazhdon edhe pas vdekjes, kur një i vdekur ringjallet sapo vihet në kontakt me relikët e profetit të shenjt, i varrosur, siç thotë shën Jeronimi, në Samari. Festa e këtij shenjti, i nderuar mbi të gjitha në Lindje, kremtohet liturgjikisht nga Urdhëri karmelitan.


Current track

Title

Artist