Shenjti i ditës: 14 Mars – Shën Matilda, mbretëreshë e Gjermanisë (895 – 968)
Written by Radio Maria on March 11, 2017
Shenjti i ditës: 14 Mars – Shën Matilda, mbretëreshë e Gjermanisë (895 – 968)
Është përcaktuar si mbretëresha ideale e një kombi të krishterë. E mund të themi se ka qenë e tillë në çdo aspekt. Ishte zemërgjërë me të varfërit aq sa fëmijët e saj e akuzuan për shkapërderdhje të tepërt të pasurisë dhe u privua nga pasuritë e saj. Zbatonte këshillën ungjillore, nuk i binte borisë kur ndante lëmoshë. Hynte si e panjohur në shtëpitë më të varfëra, e pajisur me një çantë me lekë (me të cilën paraqitet), për t’u lehtësuar vuajtjet.
Ishte e bija e kontit Dietrich të Vestfalias dhe u rrit nga gjyshja që quhej edhe ajo Matilda, abate në kuvendin e Herford. Në vitin 909, sapo mbushi katërmbëdhjetë vjeçe, u martua me dukën e Saksonisë, Henrikun e quajtur Uçelatore, i cili u bë në vitin 919 mbret i Gjermanisë, në një moment kritik për fatet e Evropës pas rënies së perandorisë karolinge. Henriku arriti të vinte një rregull të qëndrueshëm politik jo vetëm në Gjermani që u bë komb udhëheqës, por edhe në Itali e Francë.
Matilda pati pesë fëmijë dhe u tregua e aftë në detyrën e saj, si nënë e si mbretëreshë, përkrah bashkëshortit luftëtar, duke ia zbutur ashpërsinë me armën e butësisë e të dashurisë. Duke e ndier ajo vetë nevojën për të mësuar, pasi ishte gati analfabete, themeloi shkolla popullore pranë kuvendeve të ngritur nga ajo. Për t’u dhënë shembull vajzave, të mbajtura larg nga shkollat, u ul edhe ajo në banka. Ndoshta e mësoi pak gramatikën por diti të lexonte e të interpretonte mjaft mirë Ungjillin, të cilin e praktikonte në jetën e përditshme, duke merituar nga vetë bashkohorët e saj lavdërimin «grua me mëshirë të admirueshme» dhe titullin shenjtëreshë. Pasi mbeti e vejë në 936, vuajti për shkak të armiqësisë që e kishte i biri Otoni, i cili u bë mbret, kundrejt të vëllait Henrikut, të cilin ajo do ta kishte preferuar në fron. Otoni nga inati e detyroi të mbyllej në kuvend. Megjithatë ajo arriti t’i pajtonte të bijtë, e pasi Otoni u kurorëzua perandor në Romë në 962, hyri përfundimisht në një prej kuvendeve të themeluar nga ajo, në Kuedlindburg, ku vdiq e u varros pranë të shoqit.