Shenjti i ditës: 14 Maj, Shën Matia apostull
Written by Radio Maria on May 13, 2017
Shenjti i ditës: 14 Maj, Shën Matia apostull
Në kapitullin e parë të veprave të Apostujve përshkruhet zgjedhja e këtij apostulli. Ai qe thirrur për të plotësuar numrin e të Dymbëdhjetëve pas tradhtisë së Judës Iskariot. Pjetri sugjeroi metodën e ushtruar në Besëlidhjen e Vjetër: hedhjen në short. Ai propozoi dy kandidatët, Jozefin, që thirrej i Drejti, dhe Matinë. Këta të dy i plotësonin kushtet për mision apostolik. “Duhet, pra që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që zotëria Jezus jetoi në mesin tonë, duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri në atë ditë kur prej nesh u ngrit në qiell, të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij.”
Përpara tërheqjes së shortit, apostujt u lutën “Ti o Zot, na e trego se cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur”. Shorti i ra Matisë. Mendohet se i zgjedhuri e ka ndjekur Jezusin që nga fillimet e jetës publike, mes turmës së dishepujve që rritej nga dita në ditë dhe se ka qenë dëshmitar i ngjalljes para se t’i bashkëngjitej rrethit të ngushtë të apostujve të mbledhur në pritje të Rrëshajve.
Pas ardhjes së Shpirtit Shenjt, filloi edhe për Matinë apostull misioni i predikimit të Ungjillit duke filluar nga Judea. Por, që nga ky çast nuk ka më të dhëna të tjera për të. Tradita na sjell imazhin e një njeriu të moshuar që mban në dorë një alebardë, simbol i martirizimit të tij. Por, nuk është e sigurt se ka vdekur si martir. Njësoj nuk vërtetohen me prova të pranueshme as vdekja e tij në Jerusalem dhe as sjellja e relikteve të tij në Trevir nga Shën Elena për t’u ruajtur më pas në abacinë që mban emrin e tij.