Shenjti i ditës: 14 gusht – Shën Maksimilian Kolbe, meshtar, martir (1894 – 1941)

Written by on August 12, 2017

Shenjti i ditës: 14 gusht – Shën Maksimilian Kolbe, meshtar, martir (1894 – 1941)


Më 10 tetor, në ceremoninë e kanonizimit në Romë, ishte i pranishëm edhe njeriu për të cilin Maksimilian Kolbe u ofrua për t’i zënë vendin që të shpëtonte një baba familje. «Shihni», tha Gjon Pali II, «shihni se për çfarë është i aftë njeriu i cili i kushtohet Krishtit përmes Marisë së Papërlyer». Meshtar françeskan konventual, Maksimilian Kolbe që para se të shugurohej meshtar, kishte krijuar Ushtrinë e së Papërlyerës. Pesë vjet më vonë, në vitin 1922, do të themelonte në Poloni, në vendin e tij të lindjes, revistën Kalorësi i Zojës së Papërlyer, e përhapur tashmë në të gjithë botën. Në një rritje të përshpirtërisë birnore ndaj Virgjërës i dha jetë në vitin 1927 Qytetit të Zojës së Papërlyer, një qendër për shpërndarjen e kultit marian përmes mjeteve të komunikimit, duke përparuar, ashtu si bashkëkohësi i nderuar Don Alberione në Alba në Piemonte, apostullimin modern që e vë shtypin në shërbim të ungjillëzimit.

Në vitin 1930 Maksimilian Kolbe i kishte zgjeruar kufinjtë e Evropës, duke kërkuar një «qytet marian» në Nagasaki. Por nësë kokrra e grurit nuk bie në tokë e nuk vdes, nuk jep fryt. Kështu arriti edhe për Maksimilian Kolbe dëshmia ekstreme e mirësisë në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Në kampin e përqendrimit, ku ishte mbyllur shenjti françeskan, kishte pasur një arratisje. Dhjetë të burgosur u dënuan për të vdekur nga uria në një bodrum. Mes tyre ishte Franc Gajiovniczek, një baba familjeje. Kolbe u ofrua në vendin e tij. Veprimi i çuditi por nuk i mallëngjeu rojet e kampit. «Kush je ti?», e pyetën. I burgosuri në kamp ishte vetëm një numër i stamposur në krah. «Një meshtar katolik», u përgjigj Maksimilian Kolbe. Vdiq në vigjiljen e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, pas vuajtjeve të papërshkrueshme të agonisë së gjatë, të mbartura me qetësi, duke ngushëlluar shokët e fatkeqësisë. Shuhej kështu dashuruesi i madh i Zojës së Papërlyer, martir i mirësisë, mes njerëzimit të torturuar në një kamp përqendrimi nazist.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend