Shenjti i ditës: 13 Qershor – Shën Antoni i Padovës, meshtar dhe mësues i Kishës (1195 – 1231)

Written by on June 12, 2017

Shenjti i ditës: 13 Qershor – Shën Antoni i Padovës, meshtar dhe mësues i Kishës (1195 – 1231)

 

            Françesku i Asizit e takoi Antonin e ri me rastin e kapitullit të përgjithshëm që u hap në Rrëshajët e vitit 1221. I nuhati menjëherë cilësitë e mëdha të tij dhe më vonë do ta thërrasë miqësisht «ipeshkvi im»,  duke qënë dakord që t’u mësonte teologji fretërve «me kusht që me një detyrë të tillë», i tha, «ti të mos e shuash shpirtin e lutjes dhe përshpirtërisë së shenjtë».

            Antoni, emri i të cilit në gjendjen civile është Fernand de Bulloes y Taveira de Azevedo, kishte lindur në Lisbonë. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare hyri në kolegjialitetin e kanonikëve të rregullt augustinian  dhe vetëm për nëntë muaj e thelloi aq shumë Shkrimin e Shenjtë sa që u quajt nga papa Gregori IX, që e kanonizoi gati një vit pas vdekjes, «arka e Testamentit». Fernandi kishte parë trupat e pesë martirëve françeskanë të vrarë në Marok dhe vendosi të ndiqte gjurmët e tyre. Në Marok qëndroi pak ditë për shkak të hidropizisë nga e cila vuante, por gjatë rrugës së kthimit, një stuhi e shtyu varkën drejt brigjeve siciliane.

            Qëndroi disa muaj në Mesinë, në kuvendin françeskan, prej këtu ati gardian e mori me vete në Asizi për kapitullin e përgjithshëm. U caktua nga shën Françesku në provincën e Romanjës. Në kuvendin e Forli bëri jetë vetmitare me detyrën e përvujtë të guzhinierit. Pasi i vërejtën dhuntitë e tij të mrekullueshme si predikatar, eprorët e hoqën nga vetmia dhe e dërguan në Italinë veriore dhe në Francë për të predikuar në zonat ku ishte më e përhapur herezia e albigezëve. U sëmur papritur kur hyri në kuvendin e Padovës, banesa e tij e zakonshme, nga Kamposampiera e afërt. Udhëtonte mbi një karrocë sane të një fshatari. Vdiq me 13 qershor në Arçela, një kilometër larg mureve të Padovës. Zhvendoja e pjesëve mortore të shenjtit, që u bë tridhjetë vite më vonë, nga minstri i përgjithshëm shën Bonaventura, rezervoi një surprizë të madhe. Pasi u hap arkivoli, mes skletit  tashmë të pamish u gjet mrekullisht e paprekur gjuha. Mahnitja ia hapi menjërerë rrugën përshpirtërisë. Bonaventura e mori mes duarsh  relikun e çmuar duke thënë: «O gjuhë e bekuar, që gjithnjë e ke bekuar Hyjin dhe ke bërë që të tjerët ta bekojnë, tani shihet se çfarë meritash ke pranë Hyjit!»


Current track

Title

Artist