Shenjti i ditës: 13 nëntor – Shën Stanislao Kostka, rregulltar (1550 – 1568)
Written by Radio Maria on November 12, 2016
Shenjti i ditës: 13 nëntor – Shën Stanislao Kostka, rregulltar (1550 – 1568)
Ngjashmëria e shenjtit të ri polak me bashkëkohorin shën Luigji Gonzaga është e jashtëzakonshme. Të dy vinin nga një familje e pasur dhe fisnike dhe ruajtën të njëjtën thjeshtësi në një shoqëri mendjelehtë, prej së cilës u larguan me kurajo duke hyrë në Shoqërinë e Jezusit. Në moshën trembëdhjetë vjeçare Stanislau iu besua jezuitëve të Vjenës për të kryer studimet. Meqenëse autoritetet austriake kishin rekuizuar kolegjin e rezervuar për studentët jashtë selisë, Stanislau u desh të merrte një dhomë me qera, si të gjithë nxënësit e tjerë, të cilët duke qenë larg nga sytë e mësuesve të ashpër, ranë lehtësisht pre e botës së bukur vjeneze. Stanislau në të kundërt, ruajti përshpirtrinë dhe zellin, pa lënë pas dore asnjëherrë frekuentimin e kishës që kishte afër. Kështu vinte duke u rritur dëshira për t’iu kushtuar Zotit dhe për të shmangur refuzimin e të atit, iu drejtua direkt atit provincial të jezuitëve, Pjetër Kanisios, shenjtit të ardhshëm. Duke iu shmangur mbikqyrjes së mësuesit privat me zgjuarsi, Stanislau e la Vjenën dhe u drejtua në Diligen. Reagimi i të atit qe më i dhunshëm se sa e kishte parashikuar: kërcënoi se do t’i dëbonte të gjithë jezuitët nga Polonia, por djaloshi nuk ndërroi mendje. U ftua në Romë për të bërë noviciatin dhe studimet e filozofisë në Kolegjin Romak, ku u mirëprit nga një shenjt tjetër, Françesk Borgia, në tetorin 1567. Por i mbetej vetëm një vit jetë. Ai vetë e kishte parathënë se do të kishte vdekur i ri në një ditë kushtuar Virgjërës, ndaj së cilës ushqente një përshpirtëri të madhe. Vdiq në ditën e Të ngjiturit të Zojës në Qiell. Është kanonizuar në 1767.