Shenjti i ditës: 13 Maj – Zoja e Fatimës

Written by on May 12, 2017

Shenjtja e ditës: 13 Maj – Zoja e Fatimës 

 

Ndërsa në Evropë vazhdonte lufta e parë botërore, papa bëri thirrje për një kryqëzatë lutjesh. Ftesës së tij iu bashkëngjit edhe zëri i Virgjërës. Ajo iu shfaq tre barinjve që kullotnin delet në livadhet e luginës së Irenës (Cova da Iria) dhe përmes tyre ia përcillte porosinë e saj mbarë njerëzimit. Luçia (dhjetëvjeçare), Françesku (nëntëvjeçar ) dhe Jacinta (shtatëvjeçare) u ftuan nga Virgjëra që të takohen në të njëjtin vend në datën 13 të çdo muaji. Jacinta flet për të shfaqurën e Zojës me të ëmën. Lajmi përhapet me shpejtësi dhe në takimin e 13 qershorit nuk janë më vetëm.

Luçia mori shumë qortime nga prindërit e saj dhe muajin pasues ngurroi të shkonte në luginën e Irenës. E bindur nga dy kushërinjtë e vegjël, ajo shpërblehet nga Virgjëra me premtimin e një mrekullie që të gjithë të mund të besonin në sinqeritetin e tregimit të tyre. Por, më 13 gusht fëmijët mbahen të mbyllur në burg. Më 13 shtator, tridhjetë mijë njerëz janë të pranishëm në mrekullinë e parë: një shi lulesh. Në muajin tjetër, një turmë prej shtatëdhjetë mijë vetash marrin pjesë në një mrekulli tjetër më tronditëse: shikojnë diellin duke u rrotulluar e zmadhuar, dhe gati duke u shkëputur nga qielli. U mbyll në këtë mënyrë e shfaqura e fundit publike e Virgjërës.

Porositë e ndryshme që iu besuan tre barinjve mund të përmblidhen në një ftesë drejtuar të krishterëve për lutje e flijim për kthimin e mëkatarëve dhe për të mënjanuar luftërat e reja. Ajo porosiste se “Rruzarja duhet thënë çdo ditë…” Ftesa e Zojës gjeti një përgjigje të menjëhershme. Ipeshkvi i Fatimës, imzot de Silva, filloi ndërtimin e bazilikës së madhe. Tashmë ajo është kthyer në një qendër shtegtimesh.

Në vitin 1946, në praninë e tetëqind mijë shtegtarëve, kardinali Legato kurorëzoi Zojën e Fatimës. Në vitin 1951, papa Piu XII vendosi që mbyllja e Vitit të Shenjtë të kremtohej në Fatima. Dhe në 50-vjetorin e të shfaqurës, papa Pali VI shtegtoi personalisht atje. Ai u bashkua me një milion shtegtarë të tjerë që mbushnin sheshin e madh, i cili shtrihej si një përqafim i gjerë i Virgjërës ndaj të përshpirtshmëve të saj. Porosia e saj e fundit i hapet shpresës: “Në fund zemra ime e papërlyer do të triumfojë; Rusia do të kthehet dhe bota do të gëzojë një kohë paqeje.”


Current track

Title

Artist