Shenjti i ditës: 12 tetor – Shën Uilfridi i York, ipeshkëv (633 – 709)
Written by Radio Maria on October 11, 2017
Shenjti i ditës: 12 tetor – Shën Uilfridi i York, ipeshkëv (633 – 709)
Uilfridi, ose Vilfridi, i përkiste një familje fisnike të York, kryeqendër e Northumbrias (Yorkshira aktuale). Lindi në çifligun e fshatit Ripon, dhe në moshë të re u mirëprit në një kuvend në Lindisfarne, një bashkësi kelte që ndiqte ritin liturgjik të sjellë nga misionarët irlandez. Uilfridi, pasi kishte kaluar në një kuvend tjetër që kishte përshtatur zbatimin e ritit romak, u nis për shtegtimin e gjatë që nga shenjtërorja në shenjtërore e çoi në Romë, ku qëndroi nga viti 653 deri në vitin 657. U kthye nga Roma i bindur më shumë se kurrë se duhej të vepronte për bashkimin e Kishës së Anglisë me Kishën e Romës. Themeloi një kuvend në Ripon dhe vendosi ritin romak dhe Rregullin e shën Benediktit.
Në vitin 664 u zgjodh ipeshkëv dhe u shugurua në Compiègne, dhe me këtë veshje mori pjesë në Koncilin e Uhithy. Falë veprës së tij bindëse, të gjithë ipeshkvinjtë e Anglisë përshtatën ritin romak. Por në kthimin e tij në York, ku ishte emëruar ipeshkëv, e gjeti selinë ipeshkvore të zënë nga një ipeshkëv irlandez. Për dashuri të paqes, preferoi të kërkonte mikpritje në një kuvend, duke iu kushtuar kishave pa ipeshkëv, derisa me ndërhyrjen e arqipeshkvit të Kanterbury u rivendos në vendin e tij. Pasi u rivendos harmonia në rrethin kishtar, ipeshkvi i shenjtë punoi me zell të madh për të rirregulluar Kishën lokale sipas modelit romak; por u akuzua për ndërhyrje të paligjshme në fushën politike dhe mbreti e hoqi duke e larguar nga selia ipeshkvore. Uilfridi i bëri thirrje papës dhe ky është rasti i parë në historinë angleze. Mundi të kthehej përsëri në punën e tij misionare mes Saksonëve duke pranuar, për dashuri të paqes, ndonjë kompromis me autoritetin e mbretit. Uilfridi mbetet sidoqoftë një pikë referimi në jetën e kishës në Angli dhe jo vetëm pse ka vendosur ritin romak. Edhe nga studiuesit është konsideruar gjithnjë një personazh me rëndësi të madhe në historinë e Anglisë.