Shenjti i ditës: 12 nëntor – Shën Jozafat Kunsieviç, ipeshkëv e martir (1584 – 1623)

Written by on November 11, 2016

Shenjti i ditës: 12 nëntor – Shën Jozafat  Kunsieviç, ipeshkëv e martir (1584 – 1623)

 

            Shën Jozafati është përfaqësuesi i parë i Kishave të Bashkuara që është ngritur në nderet e elterit nga Kisha e Romës. Një shenjt ekumenik i nderuar si apostulli i bashkimit të krishterëve të Lindjes. Rusia ishte ungjillëzuar nga të krishterët e Kostandinopojës rreth shekullit X dhe ndoqi kishën Lindore, duke pranuar varësinë dhe si pasojë edhe ndarjen nga Kisha e Romës. Në 1589, kur metropoliti i Moskës u bë patrik, Kisha Ruse u bë e pavarur. Kur Rutenia kaloi nga pushtimi Rus në atë polak meshtarët ortodoks, duke hyrë në bashkim me Romën, mbajtën ritet e vjetra dhe traditat e Kishës sllave, duke u quajtur Kishë e Bashkuar. Në këtë periudhë historike hyn vepra baritore e Gjon Kunsieviç, i cili  në kushtet rregulltare mori emrin Jozafat, emri biblik i luginës së Cedronit. I lindur në Vladimir në Poloni, qe novici i parë i kuvendit bazilian të bashkuar të Vilnius.

            Pasi u shugurua meshtar dhe pasi u zgjodh arkimandrit dhe ndihmës i arqipeshkvit të Polozk, ndërmori një punë aktive misionare afër shkollës së jezuitëve. Për aftësitë e jashtëzakonshme për të tërhequr e kthyer u quajt «rrëmbyes shpirtërash». U angazhua veçanërisht për të ribashkuar me Selinë e shenjtë të krishterët e ndarë, duke u nisur nga dhuratat e mëdha të përbashkëta të krishterëve, pagëzimi, fjala e shkruar, jeta e hirit, feja e dashuria dhe përshpirtëria ndaj Virgjërës. Kisha Ruse e kishte ruajtur të paprekur «përmbajtjen» e fesë, me të gjitha sakramentet, me liturgjinë e pasur, traditën apostolike dhe patristike, përshpirtërinë monastike, kultin e shenjtërve e në veçanti atë të Virgjërës. Ishte kjo përshpirtëri e thellë  fija lidhëse që e bashkoi Kishën sllave me atë të Romës. Jozafati zuri vendin e arqipeshkvit Polozk dhe u vra mizorisht nga një grup sektarësh në Vitebsk, në Bjellorusi, për misionin e tij të rëndësishëm në favor të bashkimit me Romën. Është kanonizuar nga Piu IX në 1867 dhe kalendari i ri liturgjik e ka bërë të detyrueshëm përkujtimin e tij.


Current track

Title

Artist