Shenjti i ditës: 12 Mars – Shën Luigji Orione, meshtar (1872 – 1940)
Written by Radio Maria on March 11, 2017
Shenjti i ditës: 12 Mars – Shën Luigji Orione, meshtar (1872 – 1940)
Një shkrimtar Injac Siloni në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ngaqë kishte ikur nga kolegji, iu besua don Oriones i cili e mori me vete nga Roma në Sanremo në vitin 1917. Gjatë udhëtimit në tren pati privilegjin e pavetëdijshëm të dëgjonte të fshehtat e meshtarit të mirë, i cili mes shumë gjërash i rrëfeu: «Thirrja ime e vërtetë, është një sekret që dua të ta besoj, dëshira ime do të ishte të jetoja si gomar i vërtetë i Hyjit, si një gomar i vërtetë i Provanisë Hyjnore». Nën pamjen e përvujtë e të thjeshtë, rrahte zemra, siç tha Piu i XII, e një apostulli të dashurisë, e një babai të të varfërve, e një bamirësi të shquar të njerëzimit të pikëlluar.
Luigji kishte lindur në Pontekuron (Aleksandri) me 23 qershor të vitit 1872; qe nxënës i Don Boskos në Torino para se të hynte në seminarin e Tortonës, ku mori urdhërin meshtarak në vitin 1895. Vëmendja e tij u drejtua menjëherë nga fëmijët e varfër. Ishte biri i një punëtori të thjeshtë që merrej me shtrimin e rrugëve, dhe varfërinë e kishte njohur edhe vetë. Themeloi kolonitë e para bujqësore, të pajisura me shkolla. Ishte i pranishëm kudo që paraqitej ndonjë kërkesë për ndihmë. Shkoi në Mesinë sapo e mori vesh për termetin që ndodhi në vitin 1908. Piu X, i cili e vlerësonte shumë këtë gomar të Provanisë hyjnore, e emëroi vikar të përgjithshëm në arqidioqezën mesineze. Në 1915, një ditë pas tërmetit që goditi Marsikën, vetë Injac Siloni e pa don Orionen duke gërmuar mes gërmadhave dhe duke u hapur, megjithë kundërshtimin e karabinierëve, rrugën, fëmijëve të shpëtuar nga shtëpitë e rëna. Në atë vit don Orione themeloi rregullin «Kotolengët e Vegjël» të cilin ua besoi «Motrave të Vogla Misionare të Dashurisë», të bashkangjitura «Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore» që pas luftës u përhap në kombe të ndryshme, nga Evropa në Amerikë. Përdorimi i vazhdueshëm i mbiemrit «i vogël» paraqet masën e përvujtërisë së këtij njeriu të madh të kohës sonë «i cili me pak para ka arritur të bëjë shumë të mira», falë besimit të tij të pakufizuar në Provaninë hyjnore. Vdiq në Sanremo. Në vitin 1980 Gjon Pali II e shpalli të lumtur, ndërsa në vitin 2004 përsëri Gjon Pali II e shpalli shenjt.