Shenjti i ditës: 11 Tetor – Shën Aleksandër Sauli, ipeshkëv (1534 – 1593)
Written by Radio Maria on October 10, 2017
Shenjti i ditës: 11 Tetor – Shën Aleksandër Sauli, ipeshkëv (1534 – 1593)
Për të provuar thirrjen e vet rregulltare shtatëmbëdhjetë vjeçari Aleksandri, i lindur në Milano nga një familje fisnike gjenoveze, u improvizua predikatar duke u ngritur mbi një lozhë të vogël arkash perimesh në sheshin publik të tregut milanez. Dhe para një publiku të habitur e kureshtar foli për Hyjin dhe jetshkurtësinë e gjërave të kësaj bote. Sapo kishte lënë pas krahësh një karrierë të shkëlqyer në ndjekje të perandorit Karlit V dhe ishte pranuar tek Klerikët e Rregullt të Shën Palit, të njohur me emrin Barnabit. Mes shumë dhuntive zotëronte edhe një kujtesë të shkëlqyeshme. Mbante përmendësh traktate të tëra të Somma teologica të shën Tomës dhe veprat e Etërve të Kishës. Kishte mbi të gjitha një përshpirtëri të madhe për Virgjërën, te cilës iu kushtua në moshë të re me një kusht të veçantë pastërtie.
Pasi u shugurua meshtar në vitin 1556, gjatë kremtimit të meshës ndihmohej nga një bashkëvëlla i cili kishte detyrën për t’i kujtuar se në ç’pikë ishte me kremtimin e euharistisë, jo se habitej lehtësisht, por për ta sjellë me këmbët për tokë, pas rrëmbimeve të shumta të ekstazës. Kur ishte vetëm tridhjetë e tre vjeç u zgjodh epror i përgjithshëm i urdhërit. Pastaj papa shën Piu V e emëroi ipeshkëv dhe u shugurua nga një tjetër shenjt, Karl Borremeu, ipeshkëv i Milanos, dishepulli dhe miku i tij, i caktuar në dioqezën e Alerias në Korsikë. Varfëria e vendit dhe mosorganizimi i Kishës lokale nuk e frikësuan. «Këtu të paktën Hyji nuk do të na mungojë», ishte komenti i tij. Dhe për njëzet vite punoi pa kursim forcash, duke reformuar, korrigjuar dhe ndihmuar. Shumë herë ndërhyri si paqësues në gjakmarrjet e vazhdueshme mes familjesh e vendesh. Qe një baba i kujdeshëm për të mirën materiale e shpirtërore dhe mësues i vërtetë i jetës së krishterë. Për vetmohimin e tij heroik meritoi titullin «ëngjëll mbrojtës, at i të varfërve, apostull i Korsikës». Pastaj Gregori XIV e caktoi në selinë e Pavias. Vdiq pak më pas në Kaloso d’Asti. U kanonizua në vitin 1904.