Shenjti i ditës – 11 shkurt – Zoja e Lurdit
Written by Radio Maria on February 10, 2017
Shenjti i ditës – 11 shkurt – Zoja e Lurdit
Më 11 shkurt të vitit 1858, tri vajza dalin nga shtëpia e varfër e një të papuni, mullisit Soubiru, dhe shkojnë për të mbledhur dru përgjatë lumit Gave. Janë Bernardeta, e motra dhe një shoqe e tyre. Koha është e vranët, bën ftohtë dhe duhet të kalojnë përroin për të mbërritur në shpellën Mazabiel. Bernardeta vuan nga astma, vonohet gjatë bregut ndërkohë që dy vajzat e tjera shkojnë në mal. Një fëshfërimë e papritur mes pemëve tërheq vëmendjen e Bernardetës, e cila ngre sytë dhe sheh në zgavrën e shkëmbit një «Zonjë» të re, shumë të bukur, të veshur me të bardha, që i buzëqesh. Vajza shkon te dy vajzat e tjera dhe u tregon se çfarë ka parë. Prindërit, pasi e marrin vesh atë që ndodhi, nga e motra, e ndalojnë Bernardetën që të kthehet te shpella. Por, lotët e saj i prekin ata dhe të dielën e 18 shkurtit ajo shkon te shpella nën shoqërinë e njëzet vetave. «Zoja» është aty duke e pritur. Buzëqesh kur Bernardeta fillon të spërkasë vendin me ujë të bekuar. Gjatë të shfaqurës i thotë «A do të më bësh nderin që të vish këtu për pesëmbëdhjetë ditë? – Nuk të premtoj të të bëj të lumtur në këtë botë, por në tjetrën». Më 21 shkurt në mesin e turmës janë edhe tre xhandarë dhe disa funksionarë. Në një çast, fytyra e Bernardetës ndriçohet dhe njerëzit ngrenë kokën kur nga buzët e vajzës del si një thirrje fjala: «Pendesë!». Ditën tjetër Zoja e çon të pijë ujë te burimi …, që në atë çast rrjedh nga shkëmbi. Është burimi mrekullibërës. Më 27 shkurt, ajo e fton vajzën e re të puthë tokën në shenjë pendese për mëkatarët. Dhe i thotë: «Do t’u thuash meshtarëve të ndërtojnë këtu një kapelë». Por, famullitari Pejramale nuk është i butë me Bernardetën: «Thuaji kësaj Zonje që ta thotë emrin e saj», – i thotë ai. Në natën e 24 dhe 25 marsit, Bernardeta ia thotë Zojës kërkesën e famullitarit. «Unë jam të Zënët e Pamëkat», – i përgjigjet Zoja. Një përgjigje e papritur, të paktën në formulim. Famullitari mallëngjehet dhe beson. Katër vjet më parë, papa Piu IX kishte shpallur solemnisht dogmën e Të Papërlyerës, por Bernardeta, më naivja ndër vajzat e famullisë, që nuk di as të lexojë as të shkruajë, nuk dinte asgjë për këtë. Lurdi u bë pika e takimit për shumë turma të sëmurësh, në trup e në shpirt, në kërkim të mrekullisë së shumëdëshiruar, qetësisë. Bernardetës iu rezervua, mes mureve të kuvendit të Neverit, privilegji i vuajtjes, si monedhë shkëmbimi për kthimin e mëkatarëve.