Shenjti i ditës: 11 qershor – Shën Barnaba, apostull e martir (+ 70)

Written by on June 10, 2017

: 11  Qershor – Shën Barnaba, apostull e martir (+ 70)

 

            Nuk ishte njëri prej të Dymbëdhjetëve, por është nderuar gjithnjë si apostull. Megjithatë ishte një figurë e planit të parë në Kishën e parë. Levit i ri nga Qipro, e njohu me siguri Mësuesin; ishte ndoshta një prej shtatëdhjetë dishepujve për të cilët flet Ungjilli. Pas Rrëshajve, Barnaba i shiti pasuritë e pakta që zotëronte në atdhe dhe e vendosi fitimin në këmbët e apostujve, duke u  bashkuar me veprën e tyre të ungjillëzimit. Emri i tj ishte Jozef por të Dymbëdhjetët e quajtën Barnabë, që do të thotë «bir i ngushëllimit». U mor menjëherë në konsideratë të madhe dhe pati detyrën të shpallte Ungjillin përtej kufinjëve të Palestinës. Në këtë detyrë pati meritën se u prezantoi të riun e kthyer Saulin, apostujve, të cilët ishin akoma të frikësuar nga persekutuesi krenar. U bashkua me Palin në misionin e parë të rëndësishëm ndër paganë. Miqësia e tyre, megjithëse e shkurtër në kohë, pati rezultate të shkëlqyera: pas një viti pune, kthimet qenë kaq të shumta saqë tërhoqën vëmendjen e paganëve mbi «fenomenin e ri» fetar dhe për herë të parë filluan të quheshin të krishterë ndjekësit e Jezusit. Barnaba e Sauli (i cili që nga ai moment do të quhet me emrin romak Pal), pasi u zgjidh kontrasti mes judenj – të krishterë dhe të ashtëquajturve paganë, me prejardhje nga paganizmi, e zgjeruan rrezen e veprimit duke u drejtuar për në Qipro, atdheu i Barnabës. Prej këtu kaluan në Pamfili, në Frigji dhe në Likaoninë e egër. Në Listër njerëzit menduan se mos ishin dy hyjni, kur Pali shëroi një sakat të mjerë. «Turma kur pa atë që bëri Pali, filloi të bërtiste: Hyjnitë kanë zbritur ndër ne në trajtën e njerëzve. Barnabën e quajtën Zeus dhe Palin Hermes, sepse Pali fliste». Në udhëtimin e dytë misionar Barnaba mori me vete nipin e ri Gjonin e quajtur Mark, ungjilltari i ardhshëm, ngurrimet e të cilit e bënë Palin të ndahej nga Barnaba dhe ta vazhdonte udhëtimin vetëm. Barnaba u kthye në Qipro, ku e lë tregimi i Veprave të Apostujve. Këtu ka mundësi se u martirizua në vitin 70.


Current track

Title

Artist