Shenjti i ditës – 11 korrik: Shën Benedikti, abat, pajtor i Evropës (480 – 547)
Written by Radio Maria on July 10, 2017
Shën Benedikti, abat, pajtor i Evropës (480 – 547)
Mund ta quajmë Lulet e shën Benediktit jetën e abatit të shenjtë që e shkroi dishepulli dhe gati bashkëkohori shën Gregori Madh: një antologji mrekullish që kanë qëllimin për të bërë më të qartë Rregullin e famshëm. Por mrekullia më e madhe qe përhapja e shpirtit benediktin në gjithë Evropën. Kush i shfleton këto faqe gjen gati përditë një shenjt të rritur mes mureve të një kuvendi benediktin, një rrethojë e shenjtë e hapur për misionin mes njerëzve. Vetë papa Gregori nxiti kudo monakizmin benediktin duke dërguar murgj për të ungjillzuar popujt e Evropës së Veriut, ku lindën mijëra kuvende benediktine me Rregullin e thjeshtë dhe të praktikueshëm nga të gjithë, të përmbledhur në moton e efektshme: «Lutu dhe puno».
Me Rregullën e tij Benedikti i kthente pendesës së krishterë karakterin e kontemplacionit dhe të veprimit, sipas shpirtit të thjeshtë ungjillor. Murgu i vërtetë, lexohet, «nuk është mendjemadh, i dhunshëm, hamës, i ngathët, dembel, murmuritës, përgojues, por i pastër, i butë, i zellshëm, i përvujtë dhe i dëgjueshëm».
Benedikti, patric i ri i popullit të Anicës, i lindur në Norcia, gjendej në Romë kur hyri si pushtues mbreti i Gotëve, Teodoriku. Studenti i ri, pasi la qytetin, pas një qëndrimi të shkurtë në Afile, shkoi të jetonte si vetmitar në një shpellë të Subiakos. Aty ishin strehuar edhe të rinj të tjerë të cilët e zgjodhën epror të tyre. Por disiplina që Benedikti vendosi nuk u pëlqeu të gjithëve dhe disa herë dikush u përpoq ta helmonte. Shën Gregori thotë: «Duke u lodhur ditë për ditë pas pakorrigjueshmërisë së tyre, është kujdesur më pak për të korrigjuar vetveten». Kështu u lodh me gjelozitë e të tjerëve, «mori me vete pak murgj dhe shkoi të jetonte diku tjetër». Shkoi në këmbë në Kazino dhe u vendos në majën e malit. Pasi shkatërroi statujën e fundit të Apolit, ndërtoi një orator dhe një kuvend, që do të jetë një gur miliar në ungjillzimin e Evropës. Shumë herë i shkatërruar dhe gjithnjë i ringjallur: i bërë rrafsh në shkurtin e 1944, u rindërtua dhe u inagurua nga Pali VI me 24 tetor 1964, që në atë rast e shpalli Benediktin pajtor të Evropës, duke e zhvendosur festën liturgjike nga 21 marsi (dita e vdekjes së Benediktit, në të cilën sipas një fjale të urtë, kthehet «dallëndyshja nën çati») në datën e sotme.