Shenjti i ditës – 11 dhjetor – Shën Damasi, papë (+384)
Written by Radio Maria on December 10, 2016
Shenjti i ditës – 11 dhjetor – Shën Damasi, papë (+384)
Sipas asaj që referon Shën Jeronimi, që ishte sekretari i këtij pape shumë aktiv, të cilin e përcaktoi si «njeri të pakrahasueshëm», Damasi ka lindur në Spanjë në vitin 304. Dhe është vetë Damasi që na informon për familjen e vet: një baba gazetar ante litteram (mbledhës lajmesh), një nënë jetëgjatë, që vdiq në moshën tetëdhjetë e nëntë vjeçare, pasi ia kishte kushtuar Hyjit gjashtëdhjetë vite vejëri. Damasi ishte diakon në Romë me papa Liberin, i cili u dërgua në mërgim nga perandori Kostanci sepse kishte refuzuar të dënonte ipeshkvin e Aleksandrisë së Egjiptit, Atanasin, i cili ishte armik i pamposhtshëm i arianëve. Damasi ndoqi papën, pastaj nostalgjia për Romën ia ndërroi mendjen dhe u kthye. I qëndroi besnik papës Liberit edhe kur kryediakoni Feliksi ia mori selinë (Feliksi II njihet si antipapë). Pas vdekjes së Liberit, Damasi ishte pasardhës i ligjshëm. Zgjedhja nuk qe paqësore, pasi përleshjet mes grupimeve kundërshtare lanë për tokë 137 të vdekur. Papa i ri mbajti një qëndrim pajtues mes kundërshtarëve dhe ndjekësve të fundit të arianizmit dhe të apolinarizmit. Shpalli dy koncile në Romë që dënuan gabimet kundër Shpirtit Shenjt dhe kundër njerëzisë së përsosur të Krishtit. E mirëpriti sugjerimin e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, dhe mblodhi në Romë ipeshkvinjtë perëndimorë e lindorë për të sqaruar vështërsi me karakter doktrinal. Por nga Kisha Lindore mbërritën vetëm tre ipeshkvinj, të cilët u kufizuan duke pohuar se vështërsitë e tyre ishin zgjidhur në Koncilin e Kostandinopojës.
Pontifikati i shën Damasit dallohet nga një lulëzim i harlisur ritesh, kremtimesh liturgjike, predikimesh e katekiezash që ushqyen jetën e krishterë. Papa Damasi ia besoi Jeronimit korrigjimin e tekstit latin të Biblës dhe versioni i ri do të kalojë në histori me emrin Vulgata. Riparoi shumë ndërtesa të shenjta dhe varret e martirëve në Katakombe, duke i zbukuruar me mbishkrime poetike që u bënë të famshme. Në njërën prej këtyre, në kriptën e papëve, shtoi: «Këtu unë, Damasi, do të dëshiroja të varrosen eshtrat e mia, por kam frikë se mos trazoj «martirët» e përshpirtshëm; pastaj pjesët e tij mortore u transferuan në kishën e Shën Lorencit në Damaks, e ngritur nga vetë ai.